Do të kushtojë 891 milionë lekë! Rikthehet pas 13 vitesh Censin e Bujqësisë, gjoba për ata që refuzojnë të përgjigjen

Nga arat e mbjella te tokat djerrë, ullinjtë e kultivuar, pemtaria apo serrat me zarzavate, bashkë me fermat bujqësore dhe ato blegtorale: Pas 13 vitesh, Shqipëria do të ketë një regjistër të përditësuar të tokave dhe kafshëve.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për Censin e Bujqësisë”.

“Censi i Bujqësisë përfshin të gjitha njësitë ekonomike, që kanë në përdorim tokë bujqësore apo që kryejnë aktivitet bujqësor ose blegtoral, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Njësitë ekonomike bujqësore, objekt i censit, tregtojnë plotësisht apo pjesërisht produktet e tyre, ose mbulojnë vetëm nevojat e tyre familjare. Të dhënat e mbledhura nga njësitë ekonomike bujqësore sipas pikës 1 të këtij neni, duhet të mbulojnë 98% të sipërfaqes së përdorur për qëllime bujqësore dhe 98% të njësive blegtorale brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet nga INSTAT.

Për t’i dhënë përgjigje pyetjeve: Kush punon tokën? Sa hektarë mbillen? Sa bagëti kemi realisht? – do të shpenzohen gati 891 milionë lekë.

Pjesa më e madh e parave, mbi 475 milionë duhen për anketuesit, ndjekur nga shpenzimet për udhëtime dhe monitorime, pajisje e furnizime, zyrat me qira apo edhe promovimet.

Për bujqit dhe blegtorët që refuzojnë të përgjigjen apo japin informacione të rreme, parashikohen gjoba nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë:

“Refuzimi për të dhënë informacionin e kërkuar ose dhënia e informacionit të rremë, sipas nenit 8 të këtij ligji, me gjobë nga 30 deri në 100 000 lekë. Mosrespektimi i rregullave të konfidencialitetit statistikor trajtohet dhe dënohet në përputhje me legjislacionin për statistikat zyrtare. Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në nenin 25, të këtij ligji, nga personi/personat përgjegjës, me gjobë nga 30 000 deri në 100 000 lekë”.

Për zbatimin e këtij procesi, institucionet që do të kenë peshën kryesore janë Instituti i Statistikave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ato do të ndihmohen nga Ministria e Brendshme, ajo e Mbrojtjes, Drejtësisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës apo Universiteti Bujqësor i Tiranës:

“Gjatë periudhës prej katër javësh para ditës së censit të bujqësisë dhe gjatë të gjithë periudhës së mbledhjes së të dhënave për censin, është e ndaluar për të gjithë individët dhe organizatat, me përjashtim të INSTAT-it, të mbledhin të dhëna nga njësitë ekonomike bujqësore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Mbledhja e parë e të dhënave për bujqësinë dhe blegtorinë është kryer në vitin 1998 në formën e një ankete mbi strukturën e ekonomive bujqësore. Më pas, në vitin 2012 është realizuar Censi i parë i Bujqësisë. Një tentativë u krye në vitin 2018, por mbledhja e të dhënave u realizua në formën e një ankete strukturore të bujqësisë.

Censi i dytë i bujqësisë ishte parashikuar për t’u zhvilluar në vitin 2022, por ky proces u shty për në 2024-ën, por as ky objektiv nuk u arrit.

Afati i ri tashmë është 2026, nëse projektligji arrin të miratohet këtë vit në sesionin e ri të komisioneve parlamentare.