“Dhemb për dhemb”/ PD kallëzon në SPAK PS: Po pengojnë zbatimin e vendimit të Kushtetueses

Deputetët e Partisë Demokratike u janë përgjigjur “dhemb për dhemb” kolegëve të tyre socialistë, pas përplasjeve të fundit në Kuvend.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kallëzuar gjatë ditës së djeshme në SPAK, 73 deputetë të Partisë Socialiste, duke i akuzuar se penguan ekzekutimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Bëhet fjalë për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, e cila është kthyer në një tjetër “mollë sherri” mes palëve. Sipas demokratëve, është e papranueshme mbrojtja politike dhe pengimi i drejtësisë që mazhoranca po bën, duke mos e dërguar mandatin në Kushtetuese, sipas vendimit të kësaj Gjykate.

Njoftimi i plotë:

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kallëzuar gjatë ditës së djeshme në SPAK, 73 deputetë të Partisë Socialiste, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, Kryeparlamentaren Elisa Spiropali, Kreun e Grupit të PS Niko Peleshi, si dhe disa ministra, për kryerjen e dy veprave penale. Konkretisht në kallëzimin e dorëzuar në SPAK 73 deputetët e Partisë Socialiste akuzohen se kanë konsumuar në bashkëpunim veprat penale të “Pengimit të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës” dhe “Mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të Gjykatës”, parashikuar në nenet 320 dhe 320/a të Kodit Penal.

Pas botimit në Fletoren Zyrtare të vendimit të Kuvendit për mosdërgimin e mandatit të Olta Xhackës në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke penguar zbatimin e vendimit nr. 1/2023 dhe nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetutese, Grupi Parlamentar i PD thekson në kallëzim se ky veprim përbën jo vetëm minim të demokracisë dhe rrënim të besimit të qytetarëve tek Gjykata Kushtetuese dhe sistemi i drejtësisë, por gjithashtu edhe veprim të kundërligjshëm që dënohet nga Kodi Penal

Neni 81 i ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” specifikon se: “1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim. …4. Moszbatimi ose pengimi i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dënohet sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal.”. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë ka parashikuar dy vepra penale, që të garantuar zbatimin e vendimeve gjyqësore. Konkretisht, neni 320 i Kodit Penal parashikon se kryerja e veprimeve të bëra me qëllim që të mos ekzekutohet ose pengohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.”. Ndërkohë neni 320/a i Kodit Penal parashikon se mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i një vendimi të gjykatës, nga punonjësi i ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve, dhe kur kjo vepër kryhet për të favorizuar persona që kanë interes për mosekzekutimin e vendimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Në këtë kuptim, deputetët e kallëzuar nga ana jonë, përmes vendimeve nr. 41/2024 dhe 90/2024 të shumicës në Kuvendin e Shqipërisë, kanë kryer veprime aktive me qëllim që të mos ekzekutohet apo pengohet ekzekutimi i dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nr. 1/2023 dhe 55/2024. Ky mosekzekutim është bërë pa shkaqe të përligjura, edhe pse ato shprehimisht kanë qenë të ngarkuara nga Gjykata Kushtetuese me ekzekutimin e këtyre vendimeve gjyqësore, me qëllim favorizimin e koleges së tyre Olta Xhaçka, që ka interes personal për mosekzekutimin e këtij vendimi.

Grupi Parlamentar i PD ka kërkuar nga SPAK që të regjistrojë procedimin penal për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 25, 320 dhe 320/a të Kodit Penal, kryer në bashkëpunim, ndaj 73 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, anëtar të Grupit Parlamentar të PS; si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, administrimin e praktikës së plotë shkresore që provon kryerjen e veprave penale.