Nga 29 persona të shoqëruar nga policia e Vlorës për zbardhjen e krimit makabër në Himarë, deklarimet e dy prej tyre jo vetëm rindërtuan skenën makabër të vrasjes së Eraldo Nevruzit, por përputhën edhe provat e mbledhura nga hetuesit.
Emisioni FactCheck, ka mundur të sigurojë foton ekskluzive të automjetit që drejtohet nga Gerald Shehu dhe nga Dhërmiu, është nisur drejt Himarës e më tej Sarandës, ku e braktisi për t’u larguar me taksi në Igumenicë të Greqisë.
Por me se është vrarë Nevruzi?
Nga ekzaminimi i trupit të viktimës rezulton se përveç shenjave të dhunës ai ka dy gjurmë të plumbave pistoletë, një në kokë dhe një në trup.
David Larti: “Pasi Geraldi na tha që ka vrarë Nevruzin, unë mora disa herë qese të zeza tek kuzhina me qëllim të mbështillnim trupin e viktimës. Pasi mbështollëm trupin mora açe dhe fshesë për të pastruar vendin e krimit. Më pas trupin e vendosëm në bagazhin e makinës AUDI Q7 dhe në ora 04:40 minuta të mëngjesit Geraldi u largua me makinë. Geraldit i dhashë një bluzë nga të mijat”.
Daniel Qose: “Konfirmoj deklarimet, ndërsa unë kam marrë rrobat e Geraldit dhe i vendosa të digjeshin tek furra e pjekjes së mishit”.
Gerald Shehu, i arrestuar nga Interpol Greqi me kërkesë të Interpol Tiranës, është në pritje të ekstradimit dhe dosja e plotë në ngarkim të tij është përcjell autoriteteve greke. Ndaj tij rëndon akuza e vrasjes me paramendim, neni 78 kodi penal.
Daniel Qose dhe David Larti, për të cilët gjykata e Vlorës me kërkesë të prokurorisë miratoi arrestin në burg dyshohen për veprën penale të “Fshehja ose asgjësimi i kufomës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 303 dhe 25 i kodit penal.
Aktualisht, hetuesit janë fokusuar tek gjetja e armës së krimit e cila dyshohet të jetë një pistoletë pa leje e mbajtur nga Shehu. Numri i të arrestuarve për këtë krim, ka shkuar në tre persona që lidhen direkt me vrasjen dhe fshehjen e kufomës, ndërsa një i katër shofer i autoambulancës së morgut ka përfunduar në pranga.
Ndaj shtetasit Artur Ismailaj, rëndon akuza e “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” parashikuar nga neni 295/a paragrafi 1 i kodit penal dhe ai po qëndron në arrest shtëpie.













