Sali Berisha u paraqit në SPAK mëngjesin sotëm për masën detyrim paraqitjeje lidhur me çështjen “Partizani”.
Pas daljes nga SPAK-u, kreu i Partisë Demokratike publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që, sipas tij, tregon se gjyqtarja Irena Gjoka është e dënuar me burg për falsifikim.
Dokumenti i Gjykatës së Janinës i publikuar nga Berisha tregon se “gjyqtarja është dënuar me 3 muaj burg dhe gjobë 1500 euro”.
“Është dënuar për falsifikim nga kolegj penal dhe jo administrativ. Është turpi i turpit të Ulsi Manjës, këtij ministri. Kjo vesh togën e zezë të kryegjykatëses së Tiranës për të mbuluar falsifikimet e saj”, shtoi Sali Berisha.
Berisha ka kërkuar që çdo vendim i Irena Gjokës të konsiderohet i pavlefshëm, duke shtuar se ajo është përdorur për interesa të ngushta politike dhe financiare.
