Dënimi i Salianjit, mblidhet Kryesia e PD. Berisha: Rama i hapi luftë opozitës

TIRANA- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot në mbledhjen e Kryesisë së kësaj partie se nuk ka asnjë vend tjetër në Europë që tre liderët e opozitës t’i ketë në proces politik. Berisha tha se nuk ka asnjë vend tjetër në të cilin deputeti i opozitës të dënohet se denoncoi trafikantin e dënuar në Itali dhe që mbrohej nga vëllai i tij në Shqipëri. Ai shtoi se kandidati që fitoi zgjedhjet në Himarë, Fredi Beleri, dënohet dhe burgoset sepse Edi Rama kërkon me çdo kusht t’i marrë mandatin për pronat e tij.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Sot, nuk ka asnjë vend tjetër në Europë, asnjë vend, që tre liderët e opozitës t’i ketë në proces politik. Nuk ka asnjë vend tjetër në të cilin deputeti i opozitës të dënohet se denoncoi trafikantin e dënuar në Itali dhe që mbrohej nga vëllai i tij në Shqipëri. Se kandidati që fitoi zgjedhjet në Himarë, dënohet dhe burgoset sepse Edi Rama kërkon me çdo kusht t’i marrë mandatin për pronat e tij. Pra, unë mendoj dhe besoj se sot për çdo demokrat është e qartë një strategji, e cila synon shndërrimin e një opozite, e opozitës në një opozitë pa vlerë.

Në një opozitë, kundër të cilës qeveria duke shkelmuar Kushtetutë, ligj dhe rregullore, mund të ndërmarrë çdo akt, çdo sulm. Me gjithë përpjekjet e saj të mëdha për të kontribuar edhe në këto kushte në procesin ose në mbrojtje të demokracisë në Shqipëri. Por ndaluni pak. Ju e patë Edi Ramën në zgjedhjet e majit të vitit 2023. Më thoni pak demokratë, cilin mandat nuk rrëmbeu ai, që përcaktoi se duhet ta rrëmbente? Që të gjitha pa përjashtim, ku ai përqendroi të gjithë egërsinë e narkoshtetit.

Çfarë po ndodh tani? Tani po vazhdon i njëjti proces. Cilin mandat nuk heq ai? Cilin lider të opozitës nuk burgos ai për të fituar mandatin e ri? Është kështu apo jo? Pra, në qoftë se Edi Rama mandatin e vitit 2021 e fitoi duke shpenzuar shuma kolosale për riparimet për tërmetin, duke përdorur bandat, mandatin e vitit 2023 e fitoi duke ndëshkuar opozitën. Mandatin e vitit 2025 do ta fitojë duke burgosur opozitën.

A është kjo reale apo jo? Kur ka ndodhur në Shqipëri ndonjëherë, në cilin vend të Europës ndodh që tre liderët kryesorë të jenë në procese politike? Në cilin vend në Europë ka ndodhur që t’i rrëmbehet me polici mandati kryetarit fitues të bashkisë? Në cilin vend ka ndodhur që deputeti që guxon të denoncojë vëllain e ministrit trafikant, të dënohet me një vit burg? Në asnjë, në asnjë. As në Rusinë e Putinit, as në Bjellorusinë e Lukashenkos.