Del në shitje për 140 mijë euro klubi i futbollit “Lushnja”!

Bashkia e Lushnjes ka hapur garën për ankandin e klubit të futbolli “Lushnja”, i cili aktualisht militon në kategorinë e parë, ku katualisht mban vendin e gjashtë. Vitin e kaluar ujërat ishin më të trazuara, ku klubi në të njëjtën kategori doli në vendin e 10-të.

Sipas dokumenteve që disponin VoxNews, kryetarja e Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa, hapi ankandin me objekt “shitje me ankand të aksioneve të Klubit të Futbollit Lushnja 1930 sh.a, në masën 100%”. Ky vendim vjen disa muaj pas vendimi të Këshillit Bashkaik të Lushnjes, i marrë vjeshtën e vitit të kaluar, ku u vendos që klubi të privatizohet, duke i hapur rrugën investimeve.

Lushnja është një nga klubet historike në Shqipëri, ku para dhe pas viteve ’90 ka luftuar edhe për të dalë kampion. Madje, në vitet e firmave piramidale pati një investim, ku erdhën lojtarë dhe trajnerë ish-kampionë bote, si argjentinasi Mario Kempes trajner.

Njoftimi i Bashkisë së Lushnjes për shitjen e klubit të futbollit “Lushnja”
Sipas dokumenteve të ankandit, të hapura nga Bashkia e Lushnjes në Agjencinë e Prokurimit Publik, KLUBI I FUTBOLLIT LUSHNJA 1930 sh.a është krijuar më 6 shtator 2013 me vendim nr.60 të Këshillit të Bashkisë Lushnje, si një shoqëri aksionare me ofertë private. KLUBI I FUTBOLLIT.

“LUSHNJA 1930 sh.a ka selinë në lagjia ‘Xh.Neprravishta’ në stadiumin Roza Haxhiu, Lushnje. Futbolli ka një histori suksesi 94-vjeçare për Qytetin e Lushnjes. Klubi Futbollit Lushnja (KF Lushnja) u themelua më 27 korrik 1930 në Lushnje. Aksionet zotërohen 100% nga Bashkia Lushnje” thuhet në këto dokumente.

Sipas saj, objekti i aktivitetit është organizimi i aktiviteteve sportive te fubollit; krijimi i ekipeve zinxhir dhe pjesëmarrja në garat sportive të organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit; aderimi dhe regjistrimi si klub në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe në të gjitha llojet e aktiviteteve të futbollit kombëtare dhe ndërkombëtare. Madje, objekt është edhe tregu i lojtarëve për të blerë lojtarë sipas nevojave të ekipit; aktivitete të tjera në fushën e futbollit për interesat e shoqërisë.

Në dokumente shkruhet se vlera fillestare e ankandit është 14.077.066 lekë, ose rreth 140 mijë euro. Mësohet se ankandi do të zhvillohet më datë 13 shkurt në katin e dytë, salla e mbledhjeve në Bashkinë e Lushnjes.