TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për mosmarrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin e anëtarit të qeverisë nga GJKKO. Me anë të një postimi në Facebook, Berisha shkruan se Rama e bëri të ditur gjatë ditës së sotme se nuk do të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zv.kryeministren Belinda Balluku.
Në postimin e tij Berisha bëri dhe njëherë thirrje për protestën e tretë kombëtare të martën e 10 shkurtit.
“Mirëdita! Të dashur qytetare dhe qytetarë, sot në monologun të dielës, Edi Rama në panik dhe i fantaksur, o zotua para jush në mënyrën më të papërgjegjshme se ai nuk do të përfillë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mbasi sipas tij, nuk ka ndodhur kurrë që një ministër të pezullohet nga gjykatat. Ky është një mashtrim i madh sa vetë Edi Rama. Në rajon, në Europë dhe në botë, gjykatat kanë pezulluar jo vetëm ministra, por edhe kryeministra. Por në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, ai nuk sheh një goditje për Lubi Ballukun, por sheh potencialin dhe mundësin e pezullimit të tij si kryehajduti i kombit nga gjykatat, mbasi siç e dini, Lubia i ka bërë të qartë atij, se do të të marrë me vete.
Sot në monologun e tij, ai kërcënoi dhe Europën, i tha se, alternativë e vetme për Shqipërinë në Europë, jemi ne hajdutët e mëdhenj, ne që asgjësojmë shtetin ligjor dhe nuk njohim ligj e as Kushtetutë. Mirëpo nesër sipas medieve, ai është thirrur pikërisht për ti komunikuar vendimin që është marrë në rast se ky, pengon sistemin e drejtësisë dhe veprimtarinë e tij. Dhe ky vendim, do të jetë mesa duket vendimi më i paprecedentë që është marrë ndonjëherë në BE, sepse është absolutisht i paprecedentë qëndrimi dhe vendimi i Edi Ramës, për të asgjësuar shtetin ligjor me një grusht shteti, brenda shtetit.
Në këtë kontekst, të dashur qytetarë dhe qytetare, ditën e martë, secili prej jush proteston, shpreh revoltën në kryengritjen paqësore të opozitës, jo vetëm për vete, por për fëmijët e tij, për Shqipërinë, dhe si asnjëherë tjetër, për të ardhmen evropiane të këtij vendi. Ndaj dhe ju ftoj të marrim fatet në dorë të Shqipërisë, ti qëndrojmë ligjeve dhe kushtetutës së vendit, si rruga e vetme e integrimit të Shqipërisë në BE, si rruga e vetme për rivendosjen e shtetit ligjor, ligjit dhe kushtetutës në Shqipëri. Faleminderit,” tha Berisha














