Partia e Lirisë, pas arritjes së marrëveshjes për listën e sigurt të kandidatëve për deputetë, ka shprehur ambicie të mëdha edhe në listën e hapur, ku përfshin emra të njohur nga radhët e saj dhe të Partisë Demokratike.
Lëvizja më e fundit e Ilir Metës për të kaluar nga lista e mbyllur e Fierit në atë të hapur të Tiranës ka tronditur politikën lokale. Kjo ka rritur mundësinë që kreu i Partisë së Lirisë të fitojë një mandat deputeti nga kryeqyteti, duke i dhënë mundësinë partisë për të pasur tre deputetë në Tiranë. Bëhet me dije se deri tani, Partia e Lirisë ka arritur të marrë një kandidat nga Partia Demokratike në 11 qarqe të vendit, përveç Kukësit. Pjesë e listës së sigurt janë emrat e Tedi Blushit dhe Erisa Xhixhos në Tiranë, si dhe Edmond Haxhinastos në Elbasan, ndërsa sekretarja e përgjithshme e PL-së, Brunilda Haxhiu, do të kandidojë në Fier.
Në qarqe të tjera, emrat që përfliten për listat e hapura përfshijnë Lefter Maliqin në Berat, Viktor Tushajn në Lezhë, Gentian Çalën në Korçë dhe Dashamir Xhikën në Elbasan.
