PORTUGALI – Cristiano Ronaldo vazhdon të sfidojë moshën, statistikat dhe çdo kufi njerëzor në futboll. Ylli i dikurshëm i Manchester United dhe Real Madridit së fundmi shënoi dy gola për Portugalinë në barazimin 2-2 ndaj Hungarisë, duke thyer edhe rekordin e golave në ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës. Me 948 gola në karrierë, pyetja që ngrihet tashmë është e qartë: kur do ta arrijë shifrën e 1,000 golave?
Edhe pse mbushi 40 vjeç në shkurt, Ronaldo vazhdon të shfaqet në formë të jashtëzakonshme. Me 143 gola në 225 ndeshje për Portugalinë dhe 805 gola në 1,068 paraqitje me klubet, ai është më afër se kurrë një arritjeje që askush në historinë e futbollit nuk e ka prekur.
Performanca e tij është ende e jashtëzakonshme. Vetëm gjatë vitit 2025, Ronaldo ka realizuar 32 gola me klubin dhe kombëtaren. Që nga viti 2010, ai ka mesatarisht mbi 50 gola për çdo vit kalendarik, me kulmin në vitin 2013, kur shënoi 69 gola dhe fitoi “Topin e Artë”. Në 15 vitet e fundit, vetëm një herë ka përfunduar një vit me më pak se 39 gola — një tregues i qëndrueshmërisë dhe disiplinës së tij unike.
Sipas analizës së Sky Sports, nëse ruan ritmin aktual të shënimeve dhe duke pasur parasysh se Portugalia është afër kualifikimit për Kupën e Botës 2026, Ronaldo mund ta arrijë golin e 1,000-të në tetor të vitit 2026. Kjo do ta bënte atë lojtarin e parë në historinë e futbollit botëror që arrin këtë shifër legjendare.
Statistikat e tij janë po aq mbresëlënëse sa edhe rekordet. Nga 948 golat, 608 janë shënuar me këmbën e djathtë, 181 me të majtën, dhe 157 me kokë. Ai ka realizuar 178 penallti, 135 gola nga jashtë zone – përfshirë 64 goditje të drejtpërdrejta dënimi – dhe golat e tij janë pothuajse të ndarë në mënyrë të barabartë mes ndeshjeve në shtëpi, jashtë dhe në terrene neutrale.
Sa i përket garave, La Liga mbetet skena e tij me 311 gola për Real Madridin, ndërsa në Ligën e Kampionëve është golashënuesi më i mirë në histori me 140 gola. Ai shënoi gjithashtu 103 gola në Ligën Premier me Manchester United. Në arenën ndërkombëtare, Luksemburgu është “viktima” e tij e preferuar, ndërsa në Spanjë, Sevilla, Atletico Madrid dhe Barcelona janë skuadrat ndaj të cilave ka shënuar më shpesh.
