Këtë fillimviti, edhe në Shqipëri janë rikthyer rastet e infektimeve me Covid-19, ashtu siç po ndodh në shtetet fqinje të Europës, si Itali dhe Greqi. Drejtues të laboratorëve mjekësorë pohojnë se janë shtuar rastet e të prekurve të konfirmuar me Covid-19 pas kryerjes së tamponit.
Rastet pozitive të konfirmuara pas kryerjes së tamponit sipas administratorit të rrjetit të laboratorëve më të madh në vend, “Intermedica”, Vasil Llajo arrijnë deri 30%. Llajo pohoi për “Monitor” se ka rikthim të rasteve me Covid-19 dhe numri i të prekurve është i njëjtë me infektimet e periudhës qershor-korrik Në këtë periudhë, mjekët e familjes pohuan se nga 3 persona që kryenin testimin e tampon 1 prej tyre rezultonte i infektuar. Sipas tyre, në muajt qershor-korrik 2022, rritja e rasteve erdhi si rezultat i moszbatimit të masave që nga grumbullimi i individëve në plazhe, restorante dhe bare, si dhe mospërdorimi i maskës në ambientet e mbyllura. “Fluksi i individëve që kryejnë tampon është i lartë. Edhe pozitiviteti i rasteve të konfirmuara me Covid-19 është i lartë, arrin deri 30%. Pra në 100 persona që kryejnë tamponin 30 prej tyre rezultojnë pozitiv me Covid-19.
Rritja e rasteve me Covid-19 po shoqërohet edhe me rritje të rasteve të prekur nga Gripi A dhe virusi RSV (Respiratory Syncytial Virus) që shkakton broshit te fëmijët e vegjël të moshës nën 3 vjeç”, pohon Llajo.
Ndonëse ende nuk ka një udhëzim të veçantë nga institucionet, rekomandoj se te individët që janë shfaqur simptomat e Covid-19 është e domosdoshme mbajtja e maskës, me qëllim mosinfektimin e të tjerëve në këtë periudhë kur kanë rinisur mësimi në shkolla dhe kopshte.”
Sipas tij, të prekurit me Covid-19 rezultojnë persona të vaksinuar deri edhe me 3 doza, si dhe individë që më herët janë konfirmuar me Covid-19 nga 2 apo 3 herë. mShqipëria nisi në datë 11 Janar 2021 fushatën e vaksinimit anti-Covid-19. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë deri më 26 Maj 2023 në total janë kryer 3,072,710 vaksinime. Përkatësisht janë kryer: 1,331,723 doza të para, 1,279,886 doza të dyta dhe 403,783 doza të treta.
Ekspertët e ISHP: Simptomat më të rënda po krijohen nga qarkullimi i virusit të influencës A
Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik pohuan se vendi po kalon fazën kulmore të gripit të stinës A/H1 që është normal në këtë periudhë. I Kombinuar me Covid-19 dhe me lloje të tjera të gripit, ka sjellë mbingarkesë në spitale dhe po krijon mortalitet të lartë në moshat e vjetra.
Mjekët e familjes pohuan se kohët e fundit vihet re një mortalitet i lartë në moshat e vjetra mbi 80 vjeç që vuanin nga sëmundje të tjera kronike. Virozat e këtij sezoni po duken më të ashpra se të vitit të kaluar në këtë periudhë. Simptomat më të zakonshme janë temperatura e lartë e kombinuar me dhimbje kockash, dhimbje fyti, diarre dhe të vjella.
Mjekët thonë se në qarkullim janë edhe nënvariantet e Covid-19, por simptomat e tij janë shpesh me të lehta se të gripit të stinës. Mjekët sugjerojnë që moshat e vjetra duhet të kenë më shumë kujdes, të evitojnë grumbullimet dhe të mbajnë maska.
Ekspertët e Shëndetit publik thanë se, simptomat më të rënda po krijohen nga qarkullimi i virusit të influencës A që ka marrë përmasat e një pandemie. Ekzistojnë katër lloje të viruseve të gripit: A, B, C dhe D. Viruset e influencës A dhe B shkaktojnë epidemi sezonale të sëmundjeve te njerëzit (e njohur si sezoni i gripit) pothuajse çdo dimër.
Viruset e influencës A janë të vetmet viruse të gripit që dihet se shkaktojnë pandemi të gripit (dmth., epidemitë globale të sëmundjes së gripit). Një pandemi mund të ndodhë kur shfaqet një virus i ri dhe i ndryshëm i gripit ne kategorinë A që infekton njerëzit, ka aftësinë të përhapet në mënyrë efikase midis njerëzve që kanë pak ose aspak imunitet. Infeksionet e virusit të influencës C në përgjithësi shkaktojnë sëmundje të lehta dhe nuk mendohet se shkaktojnë epidemi njerëzore. Viruset e influencës D prekin kryesisht bagëtinë me përhapje te kafshët e tjera, por nuk dihet se infektojnë njerëzit për të shkaktuar sëmundje.
Deri më tani janë evidentuar 130 kombinime të nëntipit të influencës A kryesisht nga zogjtë e egër. Viruset e nëntipit kanë prirjen për “riorganizim”, proces që ndodh kur dy viruse të gripit infektojnë një person në të njëjtën kohë dhe shkëmbejnë informacionin gjenetik. Nëntipet aktuale të viruseve të influencës A që qarkullojnë në mënyrë rutinore te njerëzit përfshijnë A(H1N1) dhe A(H3N2).
Mjeket në Klinikën e Sëmundjeve të Mushkërive në Tiranë rekomandojnë evitimin e grumbullimit, konsumin e lëngjeve qëndrimin në ambiente të ngrohta dhe të ajrosura. Mjekët nuk sugjerojnë përdorimin e antibiotikeve në fazat e para. Vetëm pas pesë ose 6 ditësh temperaturë rekomandohet kontroll më i thelluar i cili përcakton nëse duhet ose trajtim mjekësor.
