“Çmendet” moti në Turqi: Zjarre në perëndim, borë e pazakontë në verilindje

4 Korrik 2025 | 19:26

Turqia po përballet me një kontrast të fortë ekstremesh klimatike, teksa në perëndim zjarrfikësit luftojnë me flakët përgjatë bregdetit, ndërsa në verilindje ka rënë borë e dendur në mes të korrikut.

Reshjet e dëborës kanë përfshirë pllajat malore të Anadollit Lindor, duke përfshirë provincat Rize, Trabzon, Bayburt dhe Erzurum. Në disa zona, si në qytetin e Rizundës, dëbora ka zgjatur për rreth pesë orë, sipas raportimeve të gazetarëve vendas.

“Jam 65 vjeç dhe kam kaluar pothuajse gjithë jetën në Rizunda. Kjo është hera e parë që shoh dëborë në korrik,” tha për AFP-në Gencaga Karafazlioglu, një banor lokal. “Të moshuarit kujtojnë dëborë të ngjashme para 30-40 vjetësh, por kjo që po përjetojmë tani është jashtë çdo parashikimi.”

Ndërkohë, në perëndim të vendit, situata paraqitet kritike për shkak të zjarreve që kanë përfshirë zonat pyjore pranë bregdetit. Ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit po punojnë për të vënë nën kontroll flakët, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për rreziqe të mëtejshme nga temperaturat e larta dhe era e fortë.

Këto fenomene të kundërta vijnë mes paralajmërimeve të vazhdueshme të meteorologëve për rritjen e frekuencës së ekstremeve klimatike si pasojë e ndryshimeve globale të klimës.