Çfarë po ndodh në Elbasan?/ Projekti i ujësjellësit kthen në kantier ndërtimesh bulevardin

Qyteti i Elbasanit është përfshirë nga punime në disa lagje të qytetit duke përfshirë së fundi edhe bulevardin kryesor Aqif Pasha.
Hapja e të gjithë segmentit dhe shtrimi i tubacioneve ka kthyer në një kantier që ka vështirësurar edhe qarkullimin e mjeteve. Një tjetër fenomen që haset rëndom është edhe hapja e segmenteve që janë investuar vitet e fundit, investime që nuk kthehen më në gjendjen e mëparshme. Njëkohësisht periudha konsiderohet e rëndësishme për fluksion e turistëve që ndalojnë në qytetin e Elbasanit.

Po cfarë mendojnë qytetarët lidhur me hapjen e rrugëve, kohën e investimit por edhe për përmirësimin e furnizimit me ujë?
“Rëndësi ka që po i rregullojnë, më mirë vonë sesa kurrë! E kemi të nevojshëm ujin 24 orë sidomos gjatë periudhës së verës”- u shpreh një qytetare.

“Punimet ishin të pashmangshme, problem mbetet periudha e verës që i takon turistëve dhe pamjet që ofron qyteti nuk janë të përshtatshme, por mbetet një punë që po bëhet në dobi të qytetarëve”- u shpreh një tjetër.

Investimi i bashkisë Elbasan në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës si pjesë e Programit Infrastruktura Bashkiake V synon do të transformojë cilësinë e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e këtij qyteti.
Projekti përfshinë rehabilitimin e rrjetit primar dhe rrjetit sekondar e terciar, ndërtimin e zonave të Matjes dhe të Presionit, lidhjen e abonentëve familjarë, bizneseve dhe enteve publike me ujëmatësa.
Nuk ka ende një afat kur përfundon, por tubacionet do të përfshijnë të gjithë bulevardin deri në rrethrrotullimin e Zaranikës.

Drejtori teknik i ndërmarrjes së ujësjellësit Julian Doçi bën të ditura detajet e investimit dhe thotë se nga ky investim do të përfitojnë të paktën 50 mijë banorë.

“Në qytetin e Elbasanit është duke u realizuar një projekt madhor i cili përfshin rreth 2900 lidhje familjare. Do të kryhet rikonstruksioni total i dy depove kryesore si dhe do të bëhet ndërtimi i një depoje të re. nga ky project përfitojnë mbi 50 mijë banorë drejtëpërdrejtë si dhe gjithë qyteti në tërësi. Në përfundim të projektit qyteti do të furnizohet me ujë mesatarisht 18- 24 h në ditë”- u shpreh ai.