Briken Calja rikthehet në skenën botërore, surprizon me paraqitjen në Norvegji

NORVEGJI, 6 tetor 2025 – Shtangisti shqiptar Briken Calja është rikthyer fuqishëm në pedanë, duke dhuruar një performancë mbresëlënëse në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për të rritur që po zhvillohet në qytetin Forde të Norvegjisë. Kampioni kuqezi garoi në Baterinë C të peshës 79 kilogramë, ku aktualisht mban vendin e parë provizor.

Calja realizoi me sukses provën e parë në stilin e shkëputjes me 147 kilogramë, ndërsa dy përpjekjet e tjera për 151 kilogramë nuk u konkretizuan. Megjithatë, ai e mbylli këtë fazë të garës në krye të renditjes së baterisë.

Në stilin e shtytjes, kampioni shqiptar tregoi formë të mirë, duke ngritur fillimisht 175 kilogramë dhe më pas 181 kilogramë. Përpjekja e fundit për 183 kilogramë nuk u finalizua, por rezultati i arritur e mbajti sërish në krye të renditjes.

Në total, me 328 kilogramë (147 + 181), Briken Calja renditet i pari në përfundim të Baterisë C. Në të njëjtën kategori pritet të garojë edhe Erkand Qerimaj në Baterinë B, ndërsa më vonë do të zhvillohet Bateria A që do të përcaktojë renditjen përfundimtare të kampionatit. Paraqitja e Caljes është një sinjal i fortë i rikthimit të tij në formë dhe një motiv shtesë për skuadrën shqiptare të peshëngritjes në arenën botërore.