Deputeti socialist Erion Braçe ka komentuar për herë të parë debatet mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetes Elisa Spiropali, e cila i ka dalë hapur kundër kryesocialistit dhe e ka sfiduar që ta përjashtojë.
I ftuar në Euronews Albania, Braçe tha se Spiropali nuk duhet të përjashtohet, pasi sipas tij ajo ka folur për gjëra normale.
I pyetur më tej nëse Rama do ta përjashtojë Spiropalin nga grupi, Braçe u përgjigj se ky është një vendim që e merr partia dhe jo individi.
“Pse duhet të përjashtohet zonja Spiropali? Nuk e kuptoj pse duhet të kërkohet përjashtimi i saj. Këto janë gjëra normale në këndvështrimin tim. Kë shqetëson këndvështrimi im? Në qoftë se janë të shqetësuar për urdhra, hajde ta diskutojmë këtë gjë”, tha ai.
“Duhet t’i themi gjërat në sy për gjërat që nuk shkojnë dhe të kemi bonsensin t’i pranojmë, se nuk është sakrilegj të pranosh kritika për pushtetin… Përjashton partia, jo individët. Mendoj se PS nuk përjashton”, tha Braçe.
Braçe u shpreh se shqetësimet e ngritura nga Spiropalit lidhur me ministrokracinë apo drejtorokracinë brenda PS janë të vërteta dhe shqetësojnë shumë deputetë të PS.
“Për shembull, personalizimi i pushtetit është një gjë që e vuan qeverisja. E ka vuajtur qeveria e mëparshme dhe e vuan edhe qeveria e tanishme. Ministrokracinë dhe drejtorokracinë, patjetër që e vuan qeverisja. E vuajmë edhe ne deputetët, sepse është një element i pabarazisë mes atyre që janë ministra dhe deputetë, që kanë gjithë hierarkinë e shtetit në varësinë e tyre, dhe ne të tjerëve që nuk kemi asgjë. Po e vuajmë, sepse është një element pabarazie brenda PS-së”, deklaroi ai.
Ndërsa, lidhur me deklaratat e Ramës se Spiropali është “investimi” i tij, Braçe tha se kjo është një marrëdhënie mes tyre dhe një temë debati personale.
“Kjo është marrëdhënie mes të dyve. Nëse zonja e pranon këtë gjë dhe kryeministri e pranon këtë gjë, atëherë është një marrëdhënie mes të dyve. Është çështja e tyre. Por ajo që dua të them është se ne të gjithë jemi investime të Partisë Socialiste dhe jemi deficitarë ndaj saj”, u shpreh Braçe.













