Pas një muaji agjërimi dhe sakrifice, besimtarët myslimanë në Shqipëri festojnë sot Fitër Bajramin.
Në Tiranë, mijëra besimtarë u mblodhën në “Sheshin Skënderbej” për faljen e Bajramit, organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH).
Në Elbasan mijëra besimtarë u falën përgjatë bulevardit kryesor dhe sheshin ‘Gensher”.
Ceremonia nisi në 06:45 me leximin e Kuranit dhe ligjëratën, ndërsa pritjet tradicionale në selinë e KMSH-së do të zhvillohen nga 09:00 deri në 12:00.
Kreu i KMSH-së uroi besimtarët, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës për ata në nevojë.

Pse festohet Fitër Bajrami
Fiter Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga fakti se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, dhe kështu në këtë mënyrë festojnë së bashku këtë festë. Zoti ligjësoi në fund të muajit të Ramazanit festën e Fitër Bajramit, gëzim për myslimanët, ashtu siç ligjësoi festën e Kurban Bajramit në ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhxhe. Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.
Namazi i Bajramit është obligim i domosdoshëm për çdo mysliman. Muhammedi i ka kushtuar rëndësi të veçantë duke i urdhëruar myslimanët që të falin këtë namaz. Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit. Namazi i Bajramit ka dy rekate dhe dallon prej namazeve tjera për nga mënyra e faljes. Në rekatin e parë pas tekbirit fillestar merren shtatë tekbire, mandej lexohet sureja Fatiha dhe ndonjë sure tjetër. Pas plotësimit të rukusë dhe sexhdesë së rekatit të parë, ngritet për në rekatin e dytë dhe menjëherë merren pesë tekbire pas të cilëve lexohet Fatiha dhe ndonjë sure, më pas shkohet në ruku dhe sexhde e kështu përfundon namazi.
Elbasanion u uron gëzuar festën gjithë besimtarëve muslimanë!













