Besimtarët katolikë kremtojnë sot Pashkën, një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar.
Kremtimet nisën mbrëmjen e së Shtunës së Madhe, që i paraprin Natës së Shenjtë të Pashkës, ku besimtarët pritën aktin më të rëndësishëm të festës: ngjalljen e Jezu Krishtit.
Në Katedralen e Shën Palit, ceremonia u zhvillua në një atmosferë të veçantë, mes lutjesh dhe këngësh liturgjike, teksa Arqipeshkvi i Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj, në fjalën e tij vuri theksin te paqja, dashuria dhe solidariteti si vlera themelore që duhet të udhëheqin shoqërinë.
Që në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, kishat e kryeqytetit dhe të gjithë vendit u mbushën me besimtarë, të cilët morën pjesë në meshën solemne të organizuar me rastin e ringjalljes së Krishtit, ku klerikët bënë thirrje për më shumë mirëkuptim dhe shpresë në këto kohë sfiduese.
Jashtë ambienteve të kishave, besimtarët uruan njëri-tjetrin me dëshirën për shëndet, lumturi dhe harmoni në familjet e tyre!
Pashkët vijojnë të mbeten një festë që bashkon besimtarët, duke sjellë një mesazh të fortë shprese dhe ripërtëritjeje shpirtërore.
Pashka është festa më e rëndësishme e besimit të krishterë dhe në të besimtarët përkujtojnë ringjalljen e Krishtit, tre ditë pas kryqëzimit, duke simbolizuar fitoren e jetës mbi vdekjen, shpresën dhe rilindjen, faljen dhe besimin. Krahas lutjeve dhe reflektimit, në shtëpitë e besimtarëve të krishterë gjatë kësaj dite nuk mungon dreka festive dhe vezët e kuqe si simbol i kësaj feste.
Presidenti Bajram Begaj, ka uruar besimtarët për festën e Pashkës, duke theksuar mesazhin e shpresës, dashurisë dhe besimit.
Ai shkruan se Pashka simbolizon fitoren e së mirës mbi të keqen, të dritës mbi errësirën dhe të jetës mbi vdekjen. Uron që kjo ditë e shenjtë të sjellë paqe, gëzim dhe bekime në çdo familje shqiptare.
Kryeministri Edi Rama ka bërë një urim të veçantë.
“Gëzuar Ditën e Re”, shkruan ai në rrjetet sociale krahas videos së mëposhtme të realizuar me Inteligjencë Artificiale.













