Tiranë, 27 shkurt 2025 – Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe njerëzve të tij të ngushtë, duke i akuzuar ata për vjedhje dhe abuzime. Gjatë një deklarate të bërë këtë të enjte, Berisha tha se qeveria aktuale ka shkelur ligjin dhe është e mbushur me veprime të dyshimta që do të çojnë në fundin e saj.
Berisha përmendi dy arsye kryesore që, sipas tij, do të çojnë në rrëzimin e qeverisë. Ai e akuzoi Ramën për fshehjen e veprimeve të tij dhe theksoi se sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, është përfshirë në abuzime me dhurimin e tokave.
“Po ju vjen fundi nga njeriu i cili nuk guxon të vijë më në parlament. Pse nuk vjen ai këtu? Dy arsye madhore janë! Së pari, ku është sekretari juaj i përgjithshëm i kryeministrisë? Ku është Agaçi? Pse e fshehni? Po mashtoni qytetarët shqiptarë kur thoni ‘është në spital’. Kur unë thashë se u arratis, përhapët thashethemin ‘është në intubim’. A do të ndiqni këtë rrugë? Do të arratiseni?”, tha Berisha.
Ai gjithashtu tha se laptopi i Agaçit, që përmban prova për vjedhjet e bëra nga qeveria, ndodhet tashmë në Prokurori: “Laptopi është në prokurori. Laptopi ka të gjitha vjedhjet e tmerrshme që janë kryer.”
Përveç kësaj, Berisha theksoi se dosja “McGonigal” po shpërthen dhe që ajo është një provë e korrupsionit të nivelit të lartë që përfshin Edi Ramën: “Dosja McGonigal po shpërthen. Damian, e di që ke thënë se të ka urdhëruar Edi Rama, por ka një ligj që thotë ‘urdhërat e paligjshëm mos i zbato’. Ajo dosje nuk mbyllet. Damian, shko ku të duash, dëshmitar do thirresh për Edi Ramën”, theksoi lideri demokrat.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
