Kryetari i PD, Sali Berisha, i ka uruar shqiptarëve nga Elbasani, Ditën e Verës, ndërsa u ka bërë thirrje që më 11 maj të ndahen nga regjimi që i varfëroi ata deri në palcë.
Berisha tha se i premton qytetarëve se në 3 muajt e parë të qeverisjes, do të zbatohet “Paketa e Dhembshurisë”, që ka në thelb, minimumin jetik 200 euro, pensione jo më pak se 200 euro.
“Do të bëhet një shpërndarje e re e të ardhurave buxhetore, rritje e pensioneve, rritje e pagës minimale, jo më pak se 500 euro, një rrogë mesatare 1200 euro. Zotohem para qytetarëve të Elbasanit se e mbaj fjalën, këtu e kam bërë premtimin e parë për dyfishimin e pagës. Unë premtoj se do të bëhemi njerëzit më të paguar në rajon”, tha Berisha.
Kryetari i PD Sali Berisha, ka apeluar nga Elbasani për të mos votuar ata kandidatë për deputetë të opozitës që nuk iu bashkuan koalicionit. I pyetur për deputetin Dashnor Sula që dha dorëheqjen nga PD për t’ju bashkuar koalicionit të “Nisma-Shqipëria bëhet” të Adriatik Lapaj, Berisha u përgjigj se ai ka kohë të mendohet sërish.
“Dashnor Sula bëri zgjedhjen e tij, midis betejës në sheshin e burrave zgjodhi Tikun dhe iku në punën e tij, ka kohë ta mendojë”, tha Berisha.
“Do t’u them qytetarëve, asnjë votë për patericat e Edi Ramës, sepse ata u ftuan botërisht, pavarësisht nga mendimet e ndryshme, nëse e ndjeni veten opozitarë, bashkohuni me ne në aleancë. Mirëpo ata nuk i lejuan problemet e tyre ndaj dhe votat për ta janë vota për Edi Ramën, de facto. Përveç kësaj, ne kemi programin më të shkëlqyer, programin e Shqipërisë Madhështore, një program që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë më parë, por që u garantoj se do jetë realitet i padiskutueshëm. Tani, të them të vërtetën, kemi edhe kryemagjistarin, bashkëkryestrategun e fitores më të madhe në historinë e njerëzimit, siç ishte rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë me datën 20 janar. Chris LaCivita është një fuqi natyrore elektorale në vetvete”, tha kreu i PD.
Lideri demokrat bëri thirrje gjithashtu se “asnjë votë nuk duhet të shkojë për patericat e Edi Ramës”.
“Të gjitha partitë opozitare u ftuan në koalicion, por ata që nuk pranuan çojnë vota janë për Ramën”, tha kreu i PD.
Kreu i PD Sali Berisha ka premtuar se aplikacioni TikTok, në rast se do të mbyllet do të rikthehet sërish.
Ndërsa ndodhej në Elbasan me rastin e Ditës së Verës, Berisha i premtoi një djali i cili ishte mes qytetarëve se më 12 maj aplikacioni do të kthehet në telefonët e shqiptarëve, ndërsa shtoi se kryeministri Edi Rama është një “censor” që ka frikë nga fjala e lirë.
“Me datën 12 TikTok vjen sërish në telefona dhe Rama arkivohet si censori më i keq në histori pas babait të tij. TikTok-un do ta rikthejmë sërish. Ai ka frikë dhe tmerr nga fjalët tuaja”, tha ai.
