Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka analizuar përbërjen e re të qeverisë “Rama”, ndërsa ka lëshuar akuza pothuajse për të gjithë ministrat.
Berisha tha se kryeministri Edi Rama i propozoi Bexhet Pacollit postin e zv/kryeministrit, me qëllim që ky i fundit t’i jepte Aeroportin e Vlorës, por sipas liderit të PD-së, Pacolli e kishte refuzuar këtë ofertë të kryeministrit Rama.
Berisha thotë gjithashtu se në kabinetin e ri qeveritar të Ramës nuk ka asnjë verior, ç’ka sipas tij do të thotë se kryeministri ka shprehur urrejtjen ndaj veriut të Shqipërisë.
“Tani, dy fjalë për kabinetin. E turpshme, domethënë.
Kabineti, u rivendosën në detyra të gjithë bashkëhajdutët kryesorë. Imagjinoni ju, Lubi Balluku, Lubi Tunëli, mund të quhet, i Llogarasë. Që kur është bërë ministre ajo, hajni të madhe në këtë vend që të mos ketë firmën e saj. Jo!
Ajo nuk mund të ikë. Natyrisht, mesa shoh unë këtu, do të më falni, por është shprehur urrejtja patologjike për veriun. Asnjë nga veriu nuk mund të kishte. Armiq! I propozoi, më thanë, se është e vërtetë, të më ndiejë z.Pacolli, i ka propozuar z.Pacolli zv.kryeministër, me kusht që t’ia japë aeroportin, por ai për dinjitet, ia ka refuzuar ofertën. Ia ka refuzuar ofertën, dhe dy personalitete të Kosovës, të cilat ka menduar t’i zëvendësonte me ndonjë verior, se nuk i gjeti dot kësaj here, por ky është kabineti i parë në të cilin janë përjashtuar, ka shprehur urrejtjen e tij të papërmbajtur ndaj veriut të Shqipërisë. Dhe kjo, nuk është rastësi. Jo. Do ju them një gjë ju. Kurrë pushtues, apo diktator që të ketë mbajtur këtë qëndrim që ka mbajtur ky ndaj veriut, nuk ka patur dhe nuk ka.
Tani, a më vjen mua keq, që këtu nuk është nga ajo që i thoshte: Zeusi. Ajo ishte turpi i veriut dhe i Shqipërisë, që i thoshte Edi Rama është Zeusi.
Prandaj, duhet të them që nuk ka përjashtuar, urrejtja e tij nuk ka kufij”, tha Berisha.
Më tej Berisha, e cilësoi qeverinë Rama 4 një kabinet të përzier mes njerëzve të George Soros dhe krimit të organizuar.
“Pirro Vengu, është anëtar me shpirt dhe dokumente i kartelit Troplini, sepse gjatë drejtorisë së tij Troplini sundoi tërësisht karteli. Pirro Vengu hapi rrugën në mënyrë që miliardat e drogës të vijnë me petkun e Alalabarit në Durrës. Ka vendosur këtu Mirela Kumbaron, që e ke vështirë ta kuptosh kur është e dehur dhe kur flet normal, që shkatërroi të gjitha zonat e mbrojtura. Elisa Spiropali ministre e Jashtme. Nuk ka pasur ai post gjë më qesharake se kësaj here. Niko Peleshi, është me disa dosje korrupsioni në Skap. Pra, të themi që ky është kabineti i fundit dhe i funeralit të narkodiktaturës, për të cilin ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet të ja shkurtojmë ditët sa më shpejt”, tha Berisha në një konferencë për mediat.
“Delina Brahimi është për narko-ekonominë. Edhe kjo është e besuar për narko-ekonominë. Gonxhe, një nga hajdutët më profesionistë të këtij vendi, i paskrupullt. Anëtar i Ndraghetës me punët e tij në bashki, bashkë me atë Maznikun. Ndërtoi Formula 1, me taksat që u merr qytetarëve 200 e ca milionë euro. Nuk ndërtojnë bajpasin e Elbasanit që u kushton qytetarëve të Elbasanit dhe gjithë juglindjes, kohë dhe vuajtje”.
“Kemi të bëjmë me një kabinet të përzier, mafiozësh apo njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërisë, përfaqësues të Xhorxh Sorosit, përfaqësues të krimit të organizuar. Është vendosur edhe Toni Gogu. Çfarë do ky në qeveri? Ky do të dalë në dëshmi të tjera më vonë. Unë mendoj se, as nuk mund të ishte ndryshe nga kjo që ka ndodhur”.
