Berisha përballet me pyetjet e sikletshme të demokratëve: Nuk do lë pasardhës vajzën e as djalin tim!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me mbështetësit demokratë në Lezhë, ku përveç fjalës së tij, është përballur edhe me pyetje dhe kritika të sikletshme dhe të drejtpërdrejta nga pjesëmarrësit.

Një prej demokratëve ngriti shqetësimin për mungesën e kontaktit të drejtuesve të PD-së me bazën, duke theksuar se për rreth tetë muaj nuk ka pasur komunikim të mjaftueshëm, gjë që sipas tij dëmton jetën e brendshme të partisë.

Ai e cilësoi këtë situatë jo si faj personal të Berishës, por si pasojë e keqinformimit nga drejtuesit e lartë të partisë dhe drejtuesit e qarqeve, të cilët, sipas tij, janë të shkëputur nga demokratët.

Në përgjigje, Berisha pranoi kritikën dhe u shpreh se ajo do të merret parasysh. Ai garantoi se Partia Demokratike do të angazhohet për një dialog më intensiv me bazën, si përmes deputetëve ashtu edhe përmes drejtuesve të partisë. Berisha theksoi se shkëputja ka ardhur edhe si pasojë e një periudhe të ngarkuar përballjeje politike me qeverinë, ku fokusi kryesor ka qenë mbrojtja e votës.

Një tjetër pyetje e drejtpërdrejtë kishte të bënte me çështjen e lidershipit dhe dorëzimin e stafetës.

Demokrati shprehu dyshimin nëse Berisha heziton të largohet nga drejtimi i PD-së për shkak të frikës se partia mund të përfundojë sërish në “duar të gabuara”.

Berisha u përgjigj duke theksuar se nuk ka ndërmend të caktojë një pasardhës personal. Ai deklaroi se nuk synon të lërë trashëgim as familjarët e tij dhe se pasardhësi i tij do të jetë ai që zgjidhet dhe mbështetet nga vetë demokratët.

“Tani të them me sinqeritet, të vetmen gjë që nuk e bëj dot kurrë është pasardhësi. Nuk është reale, nuk kam ndërmend të lë pasardhës as vajzën, as djalin tim. Pasardhës do lë atë që zgjidhni ju dhe besoni më shumë”, u shpreh Berisha.