Berisha: Marrja e kompetencave të pushtetit vendor nga qeveria është antikushtetuese dhe shkelje e Kartës Europiane

Tiranë, 11 korrik 2025 – Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar me tone të forta ndaj ndërhyrjes së qeverisë qendrore në kompetencat e pushtetit vendor, duke e cilësuar atë si një akt të rëndë antikushtetues dhe një shkelje të hapur të Kartës së Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.

Në një dalje publike, Berisha rikujtoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit 2006, sipas të cilit qeveria qendrore nuk ka të drejtë të ndryshojë apo të ndërhyjë në vendimet e pushtetit vendor, përveçse përmes padive në gjykatë.

“Ramaduro është vetë kryeministër, vetë kryeprokuror, vetë kryepolic, vetë kryetar bashkie,” deklaroi Berisha, duke akuzuar Edi Ramën për përqendrim të gjithëpushtetshëm dhe shkelje të parimeve themelore të demokracisë.

Ai theksoi se do të vazhdojë denoncimet, pasi, sipas tij, fjala e lirë dhe vota e lirë janë të drejtat më themelore mbi të cilat ndërtohet një shtet ligjor. “Pa votën e lirë nuk ka demokraci, nuk ka kushtetutshmëri, nuk ka liri,” u shpreh Berisha, duke shtuar se raportet ndërkombëtare flasin qartë për kontrollin që qeveria ushtron mbi median dhe institucionet rregullatore si AMA.