Teksa prezantoi programin e tij qeverisë, Sali Berisha listoi ndikimin që ai do të ketë në jetën e shqiptarëve.
Berisha u angazhua për zero tolerancë ndaj korrupsionit, teksa shtoi se do të ketë një audit të përgjithshëm i cili të gjitha pasuritë e vjedhura do t’i rikthejë te shqiptarët.
“Zotohem se qeveria do të vendosë mbi ta taksat më të ulëta në botë në mënyrë që ju me mundin tuaj të begatoheni, mëkëmbeni, të pasuroheni. Nuk ka një vend të pasur si Shqipëria. Nuk ka 28 mijë km2 me kaq shumë pasuri. Sot ato shfrytëzohen nga Rama dhe oligarkët e tij njëlloj si në sistemin kolonial. Nesër ato do të kthehen në pasuri për ju, për Shqipërinë Madhështore. Zoti vjen në shtëpi, kur ne ta pastrojmë atë.
Zero tolerancë ndaj korrupsionit do të jetë motoja jonë. Njeriu i punës nuk ka armik më të egër se korrupsionin e qeveritarëve. Ai vret mundësitë e të rinjve, ai sjell krimin dhe pasigurinë, skamjen dhe varfërinë. Zero tolerancë ndaj shpërdorimit të parave të tyre. Jap fjalën se një audit i narkoshtetit do të rikthejë qindra milionë euro të vjedhura. Kriminelët kudo që ndodhen do të vendosen përpara ligjit dhe bashkë me ta dhe ministrat kriminelë”, u shpreh Berisha në mitingun hapës të fushatës elektorale të opozitës.
“Edvin, ti me moshë ngjan me gjyshin e Gramoz Ruçit”, Berisha: Nuk jam kthyer për para e pushtet, jam politikani më i pastër
Gjatë fjalës së tij, Berisha paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se nëse prek votat e shqiptarëve, “nuk do të ketë vend mbi tokë për të jetuar”.
Ai gjithashtu i kërkoi kryeministrit që në 11 maj të largohet me votë, pasi sipas Berishës, ai i ka sjellë dëmet më të mëdha Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Një javë në mbarë Europën u gozhdua Edi Rama, u gozhdua Narkoshteti. Premtimi solemn se shqiptarët do të votojnë të lirë. Dhe unë i them Edi Ramës ‘mos prek votën, se në mënyrë absolute vend mbi tokë nuk do kesh. Largohu me votë se i ke bërë të këqija shumë të mëdha këtij vendi.
Po ikën me turp si e keqja më e madhe pas Enver Hoxhës në historinë e shqiptarëve. I përshëndes të gjithë socialistët që kanë vendosur të bashkohen me ne. Përshëndes të gjithë shqiptarët që Shqipërinë e dhimbjes ta kthejmë në Shqipërinë e qetë, Shqipërinë e zhgënjimit në Shqipërinë e besimit”, tha Berisha duke mbyllur edhe mitingun.













