Grup-kapitulli 3 Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse pritet që të hapet për Shqipërinë në procesin e negociatave të integrimit në BE. Janë tetë fusha për të cilat vendi ynë duhet të miratojë ligje në përputhje me legjislacionin e unionit.
Shqipëria po përparon sërish në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian teksa e mërkura do të sjellë detyra të reja shtëpie për vendin tonë.
Me dakordësinë e Këshillit të BE, në Konferencën Ndërqeveritare pritet që të hapet grupkapitulli 3: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse. Por çfarë përfshin?
Janë tetë fusha për të cilat vendi ynë duhet të unifikojë legjislacionin me bashkimin evropian. Përkatësisht bëhet fjalë për Transformimin Digjital dhe Median, Tatimet, Politika Ekonomike dhe Monetare, Politika Sociale dhe Punësimi, Ndërmarrjet dhe Politika Industriale, Shkenca dhe Kërkimi, Arsimi dhe Kultura dhe Bashkimi Doganor.
Përparimi në këto fusha është thelbësor për të garantuar stabilitetin fiskal të Shqipërisë, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit.
Me hapjen e grupkapitullit 3, negociatat kanë përparuar në plot 27 fusha brenda një periudhe kohore prej 8 muajsh, që nga tetori i vitit që lamë par me hapjen e Themeloreve.
Gjithashtu grupkapituj të tjerë të hapur janë Marrëdhëniet me Jashtë dhe Tregu i Brendshëm.
Më herët, Kryeministri Edi Rama është shprehur optimist se vendi ynë do të mbyllë negociatat në vitin 2027-të duke e cilësuar si një kohë rekord dhe se brenda vitin 2030 ne do të jemi pjesë e familjes evropiane.
