Avioni me 64 pasagjerë përplaset me një helikopter ushtarak në SHBA. Ka viktima (VIDEO)

Një aeroplan i American Airlines me 64 pasagjerë në bord që nisej nga Kansas u përplas me një helikopter ushtarak Black Hawk pranë aeroportit të Uashingtonit . Sipas CBS, duke cituar burime të policisë, janë gjetur të paktën 18 trupa pa jetë, ndërsa katër persona janë shpëtuar.

Përplasja ndodhi ndërsa avioni ishte në fazën e uljes. Helikopteri, një Sikorsky H-60, ishte në një fluturim trajnimor.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) konfirmoi se përplasja mes dy aeroplanëve ndodhi gjatë fluturimit. CRJ700, i cili mund të mbajë mbi 60 pasagjerë, ishte rreshtuar për të ulur në pistën 33. Nuk ka asnjë indikacion për terrorizëm, sipas zyrtarëve të FBI-së.

Aksidenti çoi në pezullimin e nisjeve dhe mbërritjeve në aeroportin e Uashingtonit.

Ndërkohë presidenti Donald Trump ka reaguar për incidentin tragjik.

“Jam informuar për incidentin e tmerrshëm. Zoti i bekoftë pasagjerët,” tha Trump në një deklaratë.

Më pas, ai postoi në platformën e tij sociale Truth: “Avioni ishte në një qasje të përsosur dhe rutinë. Helikopteri po fluturonte drejtpërdrejt në drejtim të avionit për një periudhë të gjatë. Ishte një natë e kthjellët, dritat e avionit ishin ndezur. Pse helikopteri nuk u ngjit lart ose poshtë, ose pse nuk u kthye? Pse kontrolli i trafikut ajror nuk i tha helikopterit çfarë të bënte në vend që t’i pyeste nëse e shihte avionin? Kjo është një situatë tragjike që duhet të ishte shmangur.”

Sinjali i fundit radar i CRJ700 dërgoi mesazhin në orën 8:48 PM, sipas kohës lokale të mërkurën, më 29 janar (2:48 me orën tonë, 30 janar). Ndërkohë, helikopteri ushtarak nuk po dërgonte sinjale në atë moment.

American Airlines konfirmoi se në bord të avionit ishin 60 pasagjerë, 2 pilota dhe 2 asistencë fluturimi, ndërsa helikopteri mbante tre ushtarë amerikanë.