Autorët iu afruan paralel me makinë dhe e qëlluan me armë, dalin pamjet e atentatit ndaj Klaudio Prendit në zonën e Xhamllikut

TIRANË- Janë publikuar pamjet e momentit kur autorët ende të paidentifikuar janë afruar me automjetin e tyre dhe kanë qëlluar me armë drejt makinës ku po hipte Klaudio Prendi. Në videon e publikuar nga JOQ, Prendi shihet duke dalë nga lokali ku ishte me miqtë e tij dhe futet në makinën tip G Class të parkuar tek stacioni i autobusëve.

Në këtë moment, autorët i shkojnë paralel me makinën e tyre tip “Audi” duke e qëlluar me armë me silenciator dhe largohen nga vendngjarja. Miqtë e Prendit sapo kanë parë ngjarjen e rëndë, kanë vrapuar drejt tij për t’i ardhur në ndihmë. Ata e dërguan në spitalin e Traumës, por 28-vjeçari nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.

Dyshohet se drejt viktimës janë qëlluar 5 plumba. Policia dyshon se në atentat morën pjesë tre persona, një prej tyre ka pasur rolin e shoferit, ndërsa dy të tjerët luanin rolin e qitësit. Zona në të cilën ndodhi atentati është një zonë që survejohet nga kamerat e sigurisë, të cilat do të merren nga grupi hetimor për të bërë të mundur kapjen e autorëve. Gjithashtu mësohet se policia ka shoqëruar disa persona që janë marrë në pyetje në lidhje më këtë ngjarje, por ende nuk ka asnjë person të arrestuar për krimin.