Autobusi me dasmorë bie në lumë, humbin jetën 16 persona

Një aksident tragjik ka ndodhur në Pakistan, ku si pasojë kanë humbur jetën 16 persona. Mësohet se një autobus doli nga kursi i tij dhe u zhyt në një lumë në rajonin Gilgit-Baltistan të Pakistanit verior. Siç raportohet autobusi po transportonte të ftuar në një dasmë.

Gjithashtu autoritetet raportojnë se ka dy të plagosur dhe tetë të zhdukur. Nusja është një nga dy të plagosurit. Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, ka shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për të afërmit e viktimave, duke u bërë thirrje ekipeve të shpëtimit që të intensifikojnë kërkimet për personat e zhdukur.

Po ashtu ende nuk dihen shkaqet e aksidentit. Megjithatë, kushtet e këqija atmosferike dhe cilësia e rrjetit rrugor në vend janë përgjegjëse për një numër të madh aksidentesh dhe fatkeqësish.