Artan Hoxha:”Shqipëria po kultivon llojin e kanabisit më të kërkuar në Europë”

Gazetari investigativ Artan Hoxha gjatë një interviste në edicionin informativ në ABC, ka deklaruar se në Shqipëri ka hyrë kanabisi i quajtur “Gorilla”. Kjo bimë është ndër më të kërkuarat në vendet e BE dhe njihet me këtë emër për shkak të forcës që ka.

Sipas gazetarit Artan Hoxha, kjo bimë e re që ka hyrë për herë të parë në Shqipëri duhen vetëm 60 ditë përkujdesje që ajo të japë rezultate. Hoxha ka shpjeguar se trafikantët kanë përdorur tranzicionin e qeverisë nga zgjedhjet deri në formimin e qeverisë së re për të kultivuar kanabisin.

Mes të tjerash, gazetari Hoxha ka theksuar se shqiptarët por kultivojnë kanabis në masë në Spanjë, që më pas e tregtojnë në Gjermani dhe vende të tjera të BE. Sipas Hoxhës, shqiptarët kanë zgjedhur Spanjën për të zhvilluar këtë aktivitet kriminal për shkak të ligjeve më të buta se në vendet e tjera të BE.

Më tej gazetari Hoxha është ndalur tek metoda që kanë përdorur trafikantët për të kultivuar bimën narkotike, duke theksuar se kanë shfrytëzuar periudhën e zgjedhjeve në vend. Sipas tij duke qenë se nga zgjedhjet deri në formimin e qeverisë së re, institucionet nuk janë në maksimumin e funksionimit të tyre, trafikantët kanë përfituar duke mbjellur dhe korrur bimën narkotike.