Arrestohet për tradhëti Presidenti i Koresë së Jugut

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, është arrestuar nga Agjencia e Antikorrupsionit (CIO) në Seul me akuzën e tradhtisë për përpjekjen për grusht shteti më 3 dhjetor e kaluar.

Ky është rasti i parë në historinë e vendit që një president në detyrë, edhe pse i pezulluar për shkak të procedurës së impeachment-it, përfundon në pranga.

Gjatë marrjes në pyetje ai ka refuzuar të dëshmojë dhe ndërsa është larguar nga pallati presidencial,u publikua një video treminutëshe ku Yoon deklaroi:

“Shteti i së drejtës në Korenë e Jugut ka rënë plotësisht. Kam vendosur të respektoj procedurat e paligjshme vetëm për të shmangur incidente të pakëndshme dhe gjakderdhje, por nuk e njoh hetimin aktual.”

Yoon, 64 vjeç, i cili më parë ka shërbyer më parë dhe si Prokuror i Përgjithshëm, është presidenti I parë në detyrë në historinë e Koresë së Jugut – megjithëse i pezulluar nga detyra për shkak të procedurave të shkarkimit për përmbysje dhe shpërdorim detyre – që përfundon në pranga.

Yoon u pezullua nga detyra më 14 dhjetor për shpalljen e gjendjes ushtarake, një masë që zgjati vetëm gjashtë orë, por futi Korenë e Jugut në kaos dhe më vonë u revokua nga parlamenti.

Arrestimi i tij ndodhi pas një ndërhyrjeje masive të forcave të sigurisë, ku rreth 3,000 policë çanë barrikadat dhe telat me gjemba për të hyrë në rezidencën presidenciale.