Argita Malltezi në krye të PD? Berisha shuan aludimet: Ka formim politik, por nuk ka shprehur dëshirë

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se vajza e tij nuk ka asnjë dëshirë për të qenë në krye të PD-së. I pyetur në emisionin ‘Opinion’ në Tv Klan, nëse po përgatit vajzën e tij Argita Malltezi për të qenë në krye të PD-së, Berisha tha se ajo nuk e ka shprehur një dëshirë të tillë, megjithëse është aktive në politikë.

Blendi Fevziu: A po përgatisni ju zoti Berisha një tentativë të mundshme për të sjellë vajzën tuaj në krye të PD?

Sali Berisha: Unë kurrë nuk kam bërë lojë të dyfishtë. Vajza ime është një vajzë e shkolluar, vajzë e cila ka që studente në politikë, në grevë urie e shumë të tjera me radhë. Ajo ka bindjet e veta politike dhe merr vendime vetë. Ajo nuk ka dashur dhe këtë e ka shprehur. Nëse vajza ime vendos që të hyjë në politikë, kjo nuk do të ndodhë se unë do ia hap dyert, por do të ketë procedurën njësoj si demokratët e tjerë. Ama këtu unë nuk e ndaloj.

Blendi Fevziu: A ka shprehur ajo së fundmi ndonjë dëshirë?

Sali Berisha: Në fakt nuk ka shprehur se po ta shprehte me mua, ajo do e shprehte dhe me jashtë. Ajo është aktive në politikë, por ka gjykuar që të vazhdojë jetën e saj.