Ansambli “Sadi Halili” i Librazhdit shkëlqen në festivalin “Këng Jeho” në Strugë

Ansambli i Pallatit të Kulturës “Sadi Halili” në Librazhd, nën drejtimin e koreografit Vladimir Duro, ka marrë pjesë në një tjetër aktivitet të rëndësishëm artistik, duke përcjellë me pasion dhe profesionalizëm vlerat e trashëgimisë sonë kombëtare.

Fëmijët pjesëmarrës, të veshur me kostume tradicionale dhe të mbushur me energji e dashuri për folklorin, dhanë një performancë emocionuese që preku zemrat e publikut. Ky aktivitet është një dëshmi e përkushtimit për ruajtjen e identitetit kulturor dhe edukimin e brezave të rinj me frymën e artit dhe historisë shqiptare.

Një pamje e veçantë është ajo ku Ansambli “Sadi Halili” dhe Shoqëria Kulturore Artistike “Jehona” nga Theranda, të veshur me kostume tradicionale, përfaqësojnë me dinjitet artin dhe shpirtin e gjallë të trevave tona në festivalin ndërkombëtar “Këng Jeho” që u zhvillua në Strugë.

Falë një pune të vazhdueshme për gati dy vite, në bashkëpunim me Bashkinë Librazhd, Pallatin e Kulturës dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve, u bë e mundur krijimi i gjashtë grupeve të valltarëve nga grupmosha të ndryshme. Nuk ka qenë një proces i lehtë, veçanërisht në kohën kur teknologjia ka zënë një vend të madh në jetën e fëmijëve. Megjithatë, këta fëmijë sot funksionojnë si një skuadër e bashkuar dhe e disiplinuar, me rregulla dhe përkushtim.

Gjatë gjithë javës, ata kalojnë çdo ditë nga tre orë në prova, duke mësuar vallet e pasura të folklorit tonë, të cilat mjeshtri Sadi Halili i trashëgoi me dashuri brezave të rinj. Këto vlera kulturore po ruhen me përkushtim dhe pasion nga ekipi drejtues dhe po mbillen me kujdes tek brezi i ri.

Pjesëmarrja në festivalin “Këng Jeho” në Strugë dhe më pas në “Skupi 2025” ishte një përvojë e vlefshme për këto grupe të reja, të cilat për herë të parë u përballën me një skenë ndërkombëtare. Ato u pritën ngrohtë nga publiku dhe u vlerësuan me çmimin e publikut, një nder i veçantë që dëshmon vlerën e punës së tyre.

Ne do të vazhdojmë rrugëtimin për të mbajtur gjallë traditat dhe vlerat e trashëgimisë sonë kulturore. Ky është qëllimi dhe misioni ynë, i cili buron nga dashuria për artin dhe identitetin kombëtar.

Mirënjohje të veçantë për të gjithë prindërit që janë gjithmonë në krah të fëmijëve, që i mbështesin dhe na ndihmojnë edhe ne për të realizuar këtë mision të përbashkët.

Shfaqja e radhës për valltarët e vegjël pritet së shpejti. Ata tashmë janë të formuar si një grup i mirëfilltë artistik dhe pasioni i tyre është i dukshëm në çdo provë. Kur i pyesim a janë lodhur, apo a duan të ndalojnë, përgjigjen njëzëri jo, vazhdojmë.

Daullja dhe pipëza jehon çdo ditë në Pallatin e Kulturës për të na kujtuar se vijmë nga një e shkuar e bukur që ka emrin folklor.