Andrean e gjen pasditeve në bulervardi Aqif Pasha duke performuar muzikë e duke kënduar sidomos këngët e vjetra popullore elbasanase.
Ai merr me vete pajisjet dhe vegla muzikore dhe mundohet që me tingujt e folklorit të zgjojë emocione dhe të japë kënaqësi për kalimtarët.
Muzikën e ka pasur pasion qysh i vogël dhe interpretimin në rrugë e ka zgjedhur si punë që i sjell sadopak të ardhura.
“Unë këtë e kam punë, madje dhe boksin e kam blerë me lekët e kempit. Kam kursyer lekët e bukës që të kem mjetet për të punuar këtu. Në fillim e kam pasur me siklet, po pas disa ditësh më kaloi. Shumica e njerëzve paragjykojnë pa të njohur”- shprehet ai.
Por Andrea nuk ka një jetë të lehtë. Ai është birësuar në moshën 2 vjecare nga shtëpia e fëmijës, dhe jeton me nënën që e ka rritur, e cila vuan nga probleme të shëndetit. Ai nuk ka një shtëpi me kushte normale pasi tërmeti i 2019 I ka shkaktuar dëmtime, që kërkojnë ndërhyrje.
“Nëna biologjike më hodhi poshtë, më braktisi. Jo vetëm ajo, për mua s’kanë dashur t’ia dinë as babi, motra e vëllai, të gjithë më kanë bërë bllok. Sot jetoj me nënën që më ka birësuar, s’mundem ta lë vetëm se është 75-vjeçe”- thotë Andrea.
Shtëpinë e kanë në gjendje të rrënuar dhe nuk kanë marrë ende asnjë para për të rregulluar dëmet që i shkaktoi tërmeti.
“Nuk kam asnjë shpresë, kudo kam trokitur m’i kanë mbyllur dyert, më kanë përcjellë. Mamin e kam të sëmurë edhe po të marr paratë e tërmetit do t’i paguaj spitalin se nuk e lë dot në këtë gjendje. Do shes veshkën, s’kam zgjidhje tjetër”- shprehet ai.
Njëkohësisht Andrea vuan vetë nga probleme të shëndetit dhe ka kaluar sëmundje nga më të ndyshmet duke e bërë të brishtë dhe të pafuqishëm për të bërë punë të tjera. Ai thotë se qytetarët nuk është se e përkrahin shumë por ai vazhdon të dalë e të bëjë muzikë sic ai di.
Andrea Ranxha është i vetmi artist i rrugës që ka zgjedhur këtë formë për të siguruar të ardhura dhe sic thotë ai, as nuk vjedh dhe as nuk dëmton njëri por përpiqet që me muzikën e tij të japë kënaqësi.