Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti la të kuptohej se nuk do donte të luante kundër Milanit në Ligën e Kampionëve të martën mbrëma nëse do të kishte zgjedhje, duke pasur parasysh përmbytjet katastrofike në rajonin e Valencias gjatë javës së fundit.
“Los Blancos” do të presin Milanin në xhiron e katërt të ndeshjeve të Ligës së Kampionëve sonte në mbrëmje, gjë që do të sjellë gjithashtu një ribashkim të madh për Ancelottin me kuqezinjtë. Trajneri italian fitoi dy nga titujt e tij të Ligës së Kampionëve ndërsa ishte në krye të “Djallit”, si dhe një titull të Serie A, Kupën e Italisë, Supekupën e Italisë, plus shtatë tituj të tjerë të mëdhenj si lojtar kuqezi.
Ancelotti mbajti konferencën e tij për shtyp para ndeshjes me Milanin, por vendosi të mos flasë për futbollin aty ku ishte e mundur për shkak të respektit ndaj situatës dramatike në Valencia.