Ditën e sotme ka nisur zbatimi i amnistisë penale ku sipas ministrit të drejtësisë Ulsi Manja do të lirohen 800 të burgosur si dhe do të përfitojnë ulje të dënimit 800 të tjerë.
Motra e njërit prej të burgosurve në Peqin është shprehur se pret të vëllain i cili është i burgosur prej 24 vitesh dhe po vuan dënimin e një krimi të kryer në ‘97. Ajo ka të burgosur edhe 2 vëllezër të tjerë dhe thotë se shkak është bërë gjakmarrja.
“Kam 24 vite që e pres vëllain. Nuk ka qenë fare e lehtë në tërë këto vite. Do isha shumë e lumtur të më kishte dalë edhe një vëlla tjetër, por nuk përfitoi nga amnistia. Kisha 3 vëllezër në burg unë për gjakmarrje të vëllait që na e vranë”- shprehet ajo.
Një tjetër i burgosur është liruar gjatë ditës së sotme. Gramoz Yzeiraj nga Fieri la burgun sot ndërsa përfitoi nga amnistia vetëm dy ditë. Ai thotë se hyri në burg kur ishte vetëm 30 vjec dhe sot është rreth të 60 tave. Ka vuajtur dënimin për vrasje ndonëse pretendon se është i pafajshëm.
Vitet e burgut i cilëson të tmerrshme ndërsa të rinjtë i këshillon të largohen jashtë vendit. Sot jashtë e presin vetëm nipërit pasi vetë nuk ka krijuar familje.
Më kanë akuzuar për vrasje, por unë e kam vuajtur dënimin kot se nuk kam bërë gjë. Burgun mos e provoftë njeri, se lëre ç’duket nga këtu duhet të futeni brenda të shikoni se ç’bëhet. Të rinjtë të ikin jashtë se ktu s’ka të ardhme
