Amerika, mes rikthimit të Trump dhe Presidentes së parë grua

Amerikanët do të zgjedhin të martën Presidentin e ri. Trump synon të kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas katër vjetësh, ndërsa Harris të bëhet e para Presidente grua. Sondazhet e ditëve të fundit tregojnë një rritje të shanseve të kandidatit Trump, por një pjesë e madhe e opinionit publik është e shqetësuar që premtimet e tij radikale dhe simpatia për praktikat autoritariste mund të përbëjnë rrezik për vlerat tradicionale të demokracisë amerikane.

Më datë 5 nëntor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillojnë zgjedhjet e gjashtëdhjeta presidenciale. Amerikanët duhet të zgjedhin mes zëvendëspresidentes në detyrë, Kamala Harris, dhe ish-presidentit, Donald Trump.

Harris u zgjodh në mënyrë të papritur kandidate e Partisë Demokratike, pas tërheqjes së Presidentit në detyrë, Joseph Biden. Nëse zgjidhet, Harris do të jetë Presidentja e parë grua në historinë e SHBA.

Donald Trump do të kërkojë mandatin e dytë, pasi humbi garën e katër viteve më parë me Joseph Biden. Nëse rizgjidhet, Trump do të jetë Presidenti i dytë në historinë e SHBA-së që fiton një mandat të dytë, pasi ka humbur më parë garën e rizgjedhjes.

I pari dhe i vetmi që e ka arritur një gjë të tillë ka qenë Grover Cleveland, i cili dështoi të rizgjidhej në 1887, por u kthye në Shtëpinë e Bardhë pasi fitoi zgjedhjet katër vjet më vonë.

Donald Trump synon të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, me stilin e tij karakteristik, jashtë skemave të retorikës politikisht korrekte dhe duke premtuar veprime pak a shumë radikale, si spastrimi i SHBA nga emigrantët e paligjshëm apo vendosja e barrierave të mëdha tarifore për produktet e huaja.

Nga ana tjetër, kandidatja Harris ka vendosur theksin te forcimi i shtresës së mesme amerikane, pa hezituar ta etiketojë si ‘fashiste’ retorikën e Trump.

Megjithatë, zgjedhjet amerikane nuk janë një çështje me interes vetëm për SHBA. Amerika është ekonomia më e madhe në botë dhe ndoshta fuqia me ndikimin më të gjerë politik dhe gjeostrategjik në botë. Në këtë kuptim, rezultati i zgjedhjeve në SHBA ka ndikime të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe në ekonominë botërore.

Sondazhet tregojnë distancë të ngushtë

Pak ditë para zgjedhjeve, sondazhet tregojnë se gara mes dy kandidatëve është shumë e ngushtë dhe vështirë se ekziston një favorit me distancë të mjaftueshme.

Në nivel kombëtar, kandidatja demokrate Harris ka qenë pothuajse gjithmonë në avantazh, që kur hyri në garën presidenciale në fund të korrikut. Harris arriti të rrisë kryesimin në javët e para të fushatës së saj, duke krijuar një epërsi prej afro katër pikë përqindjeje në fund të gushtit.

Megjithatë, që nga gjysma e dytë e shtatorit, hendeku mes tyre është ngushtuar dhe sondazhet e fundit në nivel kombëtar i tregojnë dy kandidatët afërsisht në të njëjtin nivel.

Sondazhet kombëtare shërbejnë më shumë për të kuptuar preferencat për kandidatët mes gjithë publikut amerikan, por nuk janë domosdoshmërisht një mënyrë e saktë për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve.

Kjo për shkak se SHBA përdor një sistem elektoral me kolegj zgjedhor, në të cilin çdo shteti i jepet një numër votash, afërsisht në përputhje me madhësinë e popullsisë së tij.

Nga një total 538 votash të Kolegjit Zgjedhor, një kandidat duhet të arrijë 270 për t’u zgjedhur President. Ka ndodhur disa herë në historinë e SHBA që një kandidat të zgjidhet President, megjithëse ka marrë më pak vota në nivel kombëtar.

I tillë ishte edhe rasti i Donald Trump në 2016, i cili u zgjodh megjithëse rivalja Hillary Clinton mori rreth 2.9 milionë vota më shumë në nivel kombëtar.

Shumica e 50 shteteve të SHBA tradicionalisht janë bastione të njërës apo tjetrës parti. Në përgjithësi, demokratët historikisht dominojnë shtetet më të urbanizuara të bregut verilindor dhe atij perëndimor, ndërsa republikanët kanë si bastione të tyre shumicën e shteteve të Jugut dhe Perëndimit të Mesëm (Midwest).

Zakonisht, fati i zgjedhjeve në SHBA përcaktohet nga një numër i vogël shtetesh që njihen si të lëkundura ose swing states.

Për momentin, sondazhet në shtatë shtetet e konsideruara si fushëbeteje në këto zgjedhje tregojnë rezultate shumë të ngushta, por në ditët e fundit para zgjedhjeve po vërehet rritje e kandidatit Trump.

Në Arizona, Xhorxhia dhe Karolinën e Veriut, kryesimi ka ndryshuar disa herë që nga fillimi i gushtit, por Trump ka një epërsi të vogël në javët e fundit. Një dinamikë të ngjashme është vërejtur në Nevada, ku sidoqoftë sondazhet e fundit i japin një avantazh të lehtë Harris.

Në tre shtetet e tjera, Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin, Harris ka udhëhequr që nga fillimi i gushtit, me një avantazh deri në tre pikë, por në gjysmën e dytë të tetorit, diferencat janë shtrënguar ndjeshëm, madje Trump tashmë ka arritur një epërsi të vogël në Pensilvani.

Pensilvania në veçanti është një shtet kyç, pasi ka numrin më të madh të votave elektorale (19 të tilla) ndër shtetet e lëkundura dhe për këtë arsye ka ndikim më të madh në arritjen e 270 votave të nevojshme që i japin fitoren një kandidati.

Të tre shtetet e mësipërme kanë qenë bastione të Partisë Demokratike, por Trump arriti t’i fitonte në rrugën e tij për të fituar presidencën në vitin 2016. Biden arriti t’i rimarrë ato në 2020 dhe ekspertët mendojnë që, nëse Harris do të arrijë të njëjtën gjë, atëherë ajo do të jetë në rrugën e duhur për të fituar zgjedhjet.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se sondazhet e nënvlerësuan mbështetjen për Trump, si në vitin 2016, ashtu edhe në 2020. Në 2016, ai arriti të përmbysë parashikimet e sondazheve dhe të zgjidhej President. Në 2020 nuk ia doli, por mori sërish një rezultat më të lartë nga sa parashikonin sondazhet.

Megjithëse tendencat e javës së fundit në shtetet e lëkundura janë në favor të Trump, diferenca ngelet shumë e vogël dhe brenda marzhit të gabimit të sondazheve.

Ekonomia, beteja për të shëruar plagët e inflacionit

Sondazhet e fundit kanë treguar se ekonomia është gjithnjë e më shumë shqetësimi kryesor për zgjedhësit amerikanë. Kjo është edhe më e kuptueshme duke pasur parasysh ballafaqimin disavjeçar me inflacionin e lartë.

Megjithëse inflacioni ka rënë ndjeshëm që kur arriti kulmin në nivelin më të lartë 40-vjeçar në vitin 2022, sipas statistikave amerikanët po paguajnë sot rreth 20% më shumë për mallra dhe shërbime në krahasim me periudhën para pandemisë.

Nga ana tjetër, tregu i punës, i cili historikisht ka qenë një shtyllë e fortë në mbështetjen e ekonomisë amerikane pas pandemisë, ka shfaqur shenja lëkundjeje, pas një periudhe dyvjeçare me rritje të normave të interesit.

Sipas Departamentit të Punës, shkalla e papunësisë po lëviz pranë niveleve më të larta të tre viteve të fundit, ndërsa edhe hapja e vendeve të punës në të gjithë ekonominë ka rënë në nivelin më të ulët që nga janari 2021.

Sipas platformës zyrtare të Fushatës së Trump, axhenda ekonomike e “Amerika e Para” mbështetet në pesë shtylla: derregullimin, uljen e taksave, sigurimin e marrëveshjeve të drejta të tregtisë, sigurimin e energjisë së besueshme dhe të bollshme me kosto të ulët dhe përkrahjen e inovacionit.

Plani ekonomik i Trump është fokusuar kryesisht në derregullimin në industrinë e energjisë dhe atë financiare, ndërsa premton të vendosë tarifa të konsiderueshme për mallrat kineze, me qëllim mbrojtjen e industrisë vendase.

“Republikanët do të çlirojnë prodhimin e energjisë nga të gjitha burimet, përfshirë ato bërthamore, për të ulur menjëherë inflacionin dhe për të furnizuar shtëpitë, makinat dhe fabrikat e amerikanëve me energji të bollshme dhe të përballueshme” thuhet në faqen zyrtare të platformës elektorale të Donald Trump.

Trump angazhohet gjithashtu të stabilizojë menjëherë ekonominë, duke ulur shpenzimet e kota të qeverisë dhe duke nxitur rritjen ekonomike.

Analistët kanë bërë disa parashikime lidhur me mënyrën se si politikat e premtuara nga Trump mund të ndikojnë në sektorë të veçantë dhe në aksionet e kompanive të këtyre sektorëve.

Megjithëse të dhënat kanë treguar se ndikimi presidencial në çmimet e aksioneve nuk është shumë i rëndësishëm në terma afatgjatë, analistët sugjerojnë se ka të ngjarë që aksionet në sektorë si bankat dhe prodhimi i naftës mund të marrin një nxitje nga politikat e Trump, ndërsa kompanitë që mbështeten shumë në prodhimin në tregjet e jashtme, si Kina apo Tajvani, mund të dëmtohen për shkak të politikave që ka shpallur Trump.

Administrata Biden-Harris ka vendosur tarifa të larta për disa mallra kineze, si automjetet elektrike dhe mineralet kryesore. Harris ka kritikuar tarifat shtesë të premtuara nga Donald Trump gjatë fushatës së 2024 si një “taksë mbi shitjet” për konsumatorët amerikanë, megjithatë, sipas analistëve ekonomikë, ajo nuk është shprehur në mënyrë të hollësishme lidhur me politikat e saj tregtare.

Kamala Harris ka cituar studime, sipas të cilave politikat tarifore që premton Trump do t’i kushtojnë mesatarisht çdo familjeje amerikane të shtresës së mesme 4 mijë dollarë në vit.

Trump është zotuar të vendosë një tarifë prej 10% për të gjitha mallrat e importuara në Shtetet e Bashkuara dhe një tarifë prej 60% për mallrat që vijnë nga Kina.

Vendosja e tarifave doganore për mallrat e importit mund të rrisë të ardhurat për qeverinë, por gjithashtu mund të bëjë që amerikanët të paguajnë çmime më të larta për këto mallra.

Ekonomistët e Goldman Sachs vlerësojnë se çdo një pikë përqindje rritje në normën efektive të tarifave mund të rrisë inflacionin bazë me 0.1 pikë përqindjeje.

Ndërkohë, Trump premton të rrisë prodhimin e naftës bruto në vend, çka do të ulte çmimet e karburanteve dhe do të ulte kostot e bizneseve. Megjithatë, analistët kanë dyshime nëse një rritje e mëtejshme e prodhimit të naftës mund të arrihet, duke qenë se aktualisht prodhimi i naftës bruto në SHBA është në nivelet më të larta historike.

Në retorikën e saj të fushatës, Kamala Harris e ka vendosur theksin te forcimi i shtresës së mesme, si një nga prioritetet e saj kryesore. Sipas saj, rivali Donald Trump “po lufton për interesat e miqve të tij miliarderë”.

Trump premton “spastrim” të emigrantëve, por kjo mund të ketë kosto për ekonominë

Një temë veçanërisht e rëndësishme e fushatës zgjedhore në SHBA ngelet emigracioni. Kandidati Donald Trump historikisht ka ndjekur një retorikë në favor të shtrëngimit të emigracionit. Trump është zotuar të mbyllë kufirin tokësor me Meksikën, duke përfunduar ndërtimin e një muri dhe duke forcuar zbatimin e ligjit.

Gjithashtu, Trump ka premtuar gjithashtu deportimin më të madh masiv të migrantëve pa dokumente në historinë e SHBA. Megjithatë, ekspertët mendojnë se një dëbim masiv i emigrantëve do të ishte i vështirë për t’u realizuar dhe mund të shtronte pengesa të natyrës ligjore.

“Presidenti Trump dhe republikanët do të ndryshojnë politikat destruktive të kufijve të hapur të demokratëve, që kanë lejuar kriminelë dhe emigrantë të paligjshëm nga e gjithë bota të bredhin pa pasoja në Shtetet e Bashkuara.

Partia Republikane është e angazhuar për dërgimin e të huajve të paligjshëm në shtëpi dhe largimin e atyre që kanë shkelur ligjet tona” – thuhet në platformën zyrtare të Trump.

Edhe Kamala Harris ka premtuar forcim të luftës kundër emigracionit të paligjshëm, por pa arritur në masat drastike që propozon Trump.

Shifrat e fundit nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare tregojnë se ka rreth 11 milionë emigrantë pa dokumente që jetojnë aktualisht në SHBA, një numër që ka mbetur pak a shumë i qëndrueshëm që nga viti 2005.

Shumica e tyre janë banorë afatgjatë dhe vlerësohet se 80% e tyre jetojnë në SHBA prej më shumë se një dekade.

Emigrantët, megjithatë, kanë të drejtën e një procesi të rregullt ligjor, duke përfshirë një seancë gjyqësore përpara largimit të tyre. Një rritje drastike e deportimeve ka të ngjarë të sjellë rritje të fortë të ngarkesës në sistemin e gjykatave të emigracionit.

Goditja e emigracionit, sipas ekonomistëve, mund të sjellë implikime serioze për ekonominë, duke ndikuar punësimin, pagat, inflacionin dhe rritjen e prodhimit kombëtar.

Nëse ndodhin deportime masive të emigrantëve, bizneset mund të përballen me mungesë të forcës së punës dhe të detyrohen të rrisin pagat dhe t’ua kalojnë këto kosto konsumatorëve.

Donald Trump, gjatë fushatës së tij, ka folur për 10 deri në 20 milionë dëbime të emigrantëve. Por, sipas një studimi nga Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare edhe deportimi i 1.3 milionë punëtorëve, do ta rriste inflacionin me 1.3 pikë përqindjeje pas tre vjetësh. Njëkohësisht, rritja e Produktit të Brendshëm Bruto, do të ishte 2.1 pikë përqindjeje më e ulët.

Sipas të njëjtit studim, nëse do të dëboheshin 7.5 milionë punëtorë, inflacioni do të ishte 7.4 pikë përqindjeje më i lartë dhe GDP do të ishte 12 pikë më i ulët pas tre vjetësh.

Sipas një analize nga Goldman Sachs, nëse Trump fiton zgjedhjet presidenciale, furnizimi i tregut të punës me punëtorë nga emigracioni do të jetë 30 mijë punëtorë në muaj më pak, krahasuar me skenarin e zgjedhjes së Kamala Harris.

Taksimi i korporatave – Trump premton ulje, Harris rritje

Në vitin 2017, Trump uli nivelin tavan të tatimit mbi të ardhurat personale nga 39.6% në 37% dhe normën maksimale të tatimit mbi korporatat, nga 35% në 21%.

Afati i ligjeve të miratuara në atë kohë me propozimin e administratës Trump përfundon vitin e ardhshëm, por ai në fushatë ka premtuar shtyrjen e mëtejshme të tyre. Gjithashtu, Trump ka propozuar uljen e mëtejshme të shkallës së tatimit korporativ për kompanitë që prodhojnë produktet e tyre brenda SHBA.

Ai u zotua në muajin shtator të ulte normën e tatimit korporativ në 15% për kompanitë që prodhojnë mallrat e tyre brenda SHBA-së, pjesë e fushës së tij agresive “America First”, për të rikthyer prodhimin në SHBA dhe për të ndaluar kompanitë të lëvizin biznesin e tyre jashtë shtetit.

Trump thotë se planifikon të kompensojë të ardhurat e munguara me tarifat që do të vendosen për mallrat e importit. Megjithatë, analistët mendojnë se të ardhurat që qeveria do të mblidhte nga tarifat nuk do të mjaftonin për të kompensuar plotësisht të ardhurat e humbura nga taksat.

Në përgjithësi, analistët vlerësojnë se politikat tatimore që propozon Trump do të ulin ndjeshëm sasinë e parave që mbledh qeveria.

Gjithashtu, ai premton heqjen e tatimit për përfitimet e Sigurimeve Shoqërore të pensionistëve, si dhe heqjen e tatimit për bakshishet e punonjësve të shërbimit

Nga ana tjetër, Kamala Harris synon të rrisë taksat për korporatat dhe ata që fitojnë më shumë duke ndjekur, në parim, buxhetin e propozuar nga Biden.

Por, ndryshe nga Biden, ajo është kundër një rritjeje drastike të normës së tatimit mbi fitimet kapitale (norma aktuale është 23.6%), duke propozuar një normë prej 28% (krahasuar me 44.6% të propozuar nga Biden), për ata që fitojnë më shumë se 1 milion dollarë.

Harris gjithashtu mbështet rritjen e normës së taksës së korporatave nga 21% në 28% dhe ka premtuar të mos rrisë taksat për njerëzit që fitojnë më pak se 400 mijë dollarë në vit.

Harris premton zgjerim të lehtësimeve tatimore të lidhura me taksën për shtëpinë e parë dhe me trefishimin e shumës së përjashtimit nga tatimi të familjeve për çdo fëmijë të lindur.

Masa të tilla synojnë të rrisin konsumin e familjeve, por nga ana tjetër, sipas ekspertëve, mund të gjenerojnë presione inflacioniste shtesë.

Dy kandidatët kanë një qasje të ndryshme në raport me Rezervën Federale (FED), banka qendrore e SHBA që ka si mision kryesor ligjor kontrollin e inflacionit.

Harris ka premtuar një qasje të heshtur dhe mosndërhyrje në pavarësinë e FED, ndërsa Trump ka sugjeruar se presidenti duhet të ketë ndikim në vendimmarrjen e FED, megjithatë, në daljet e mëvonshme, ai është tërhequr nga një argumentim i tillë.

Pavarësisht se kush fiton në zgjedhjet e nëntorit, analistët presin që deficiti i buxhetit federal të rritet ndjeshëm. Sipas tyre, asnjëra nga platformat fiskale që propozojnë kandidatët nuk ka të ngjarë të sjellë përmirësim të gjendjes së deficitit, megjithëse propozimet e Trump kanë të ngjarë të kenë ndikim më negativ në rritjen e tij.

Sipas të dhënave të Departamentit të Thesarit, aktualisht qeveria amerikane ka një deficit buxhetor prej 1.5 trilionë dollarësh. Analistët parashikojnë se ky deficit do të rritet në 2.1 trilionë dollarë deri në vitin 2034.

Madhësia e deficitit ka implikime të mëdha për amerikanët. Sa më i lartë të jetë deficiti, aq më i kushtueshëm bëhet shërbimi i borxhit. Si rezultat, qeveria mund të paguajë norma më të larta interesi për të marrë hua dhe kjo mund të zvogëlojë sasinë e investimeve që qeveria mund të kryejë.

Normat më të larta të interesit për borxhin e qeverisë mund të shkaktojnë gjithashtu rritjen e normave të interesit të kredive për sektorin privat, duke rritur kostot e huamarrjes për amerikanët.

Energjia: Trump synon të rrisë prodhimin e naftës bruto

Një çështje me ndikim në ekonominë e vendeve të industrializuara është energjia dhe lufta ndaj ndryshimeve klimatike. Në këtë pikë, ndryshimet në qasjen e dy kandidatëve duket se janë të konsiderueshme.

Zëvendëspresidentja Kamala Harris ka mbështetur politikat nxitëse për energjitë e rinovueshme dhe incentivat për përdorimin e makinave elektrike.

“Pozicioni im është se ne duhet të investojmë në burime të ndryshme energjie, në mënyrë që të zvogëlojmë varësinë tonë nga nafta e huaj” tha ajo gjatë debatit televiziv me Donald Trump.

Sipas platformës zyrtare të kandidates Harris, siguria dhe pavarësia energjetike e Amerikës është në nivelet më të mira historike, falë politikave të administratës Biden-Harris.

“Amerika ka qenë një eksportues neto i naftës çdo muaj për tre vitet e fundit dhe hendeku midis sasisë së energjisë që Amerika prodhon dhe sasisë së energjisë që konsumon kurrë nuk ka qenë më i madh. Çmimet e karburantit për konsumatorët kanë rënë dhe po i afrohen nivelit më të ulët të tre viteve të fundit.

Shtetet e Bashkuara i kanë siguruar këto arritje, duke ulur njëkohësisht emetimet e gazrave të dëmshëm. E gjithë kjo po ndihmon për të fuqizuar Amerikën dhe po forcon më tej avantazhin tonë për të investuar në burime dhe teknologji të pastra të energjisë”, – thuhet në platformën e Harris.

Ndërkohë, Trump ka pasur gjithmonë një qasje më pak prioritare mbi kufizimin e emetimeve të gazrave të dëmshëm. Kur ishte president, Trump shfuqizoi disa kufizime për mbrojtjen mjedisore, duke përfshirë kufizimet në emetimet e dioksidit të karbonit nga termocentralet dhe automjetet. Edhe në këtë fushatë, Trump është angazhuar të lehtësojë këto rregullore, veçanërisht si një mënyrë për të ndihmuar industrinë amerikane të makinave.

Ai ka sulmuar vazhdimisht automjetet elektrike, duke premtuar se do të përmbysë objektivat e Biden në këtë drejtim.

Në teori, një rritje e prodhimit të naftës bruto në SHBA do të zgjeronte ofertën dhe do të ndikonte në çmimet më të ulëta të energjisë.

Ish-prokurorja Harris përballë të parit ish-president të dënuar për një vepër penale

Kamala Harris e nisi karrierën politike në vitin 2016, kur u zgjodh si anëtare e Senatit të SHBA-së si përfaqësuese e shtetit të Kalifornisë. Në vitin 2020, ajo hyri në zgjedhjet primare të Partisë Demokratike si kandidate për President, por nuk gjeti mbështetjen e mjaftueshme dhe u tërhoq nga gara, ndërsa në vazhdim Joseph Biden e zgjodhi si kandidate për zëvendëspresidente. Pas fitores së Biden, ajo u bë zëvendëspresidentja e parë grua në historinë e SHBA.

Kandidimi i saj për Presidente në zgjedhjet e këtij viti erdhi në mënyrë të papritur, kur në korrik Biden u detyrua të tërhiqej nga gara pas debatit të parë televiziv me Donald Trump.

Në garën për Shtëpinë e Bardhë, Harris ka zgjedhur si kandidat për zëvendëspresident Guvernatorin e Minesotës, Tim Walz.

Para se të hynte në politikë, Harris ka ndjekur një karrierë në sistemin e drejtësisë në Kaliforni, që kulmoi me zgjedhjen e saj si Prokurore e Përgjithshme e Shtetit të Kalifornisë që nga viti 2010 e deri në zgjedhjen e saj si senatore.

Donald Trump u zgjodh President i SHBA si kandidat i Partisë Republikane në zgjedhjet e vitit 2016, duke arritur një fitore surprizë ndaj kandidates demokrate, Hillary Clinton. Trump u bë Presidenti i pestë që fitoi garën presidenciale, pavarësisht se mori më pak vota popullore.

Para se të hynte në politikë, Donald Trump ka qenë një figurë e njohur e botës së biznesit në SHBA. Që prej vitit 1971, ai drejton biznesin e tij familjar të pasurive të paluajtshme të trashëguar nga i ati.

Në mandatin e parë, Trump vendosi ulje të taksave për bizneset dhe individët, por kjo solli rritje të deficitit dhe borxhit publik në nivelet më të larta që nga Lufta e Dytë Botërore.

Pozicioni i Donald Trump, si në fushatën e vitit 2016, ashtu edhe në atë aktuale, është karakterizuar nga qëndrime populiste dhe nacionaliste. Fushata dhe qeverisja e tij u mbështetën në platformën “Amerika e para”.

Në mandatin e parë, ai rriti tarifat e importit mbi mallrat kineze, por megjithatë kjo nuk ndihmoi në përmirësimin e bilancit tregtar të SHBA.

Politika e tij e jashtme u karakterizua nga një zbutje në marrëdhëniet me Rusinë, paralelisht me përkeqësimin e marrëdhënieve me aleatët europianë të NATO.

Ai humbi zgjedhjet e vitit 2020, por refuzoi të njihte rezultatin dhe nxiti mbështetësit e tij në manifestimin e dhunshëm të janarit 2021 mbi Kongresin Amerikan, që shkaktoi 5 të vdekur.

Gjatë karrierës së tij në biznes dhe politikë, Trump është përballur disa herë me çështje penale kundër tij, por në maj të këtij viti ai u bë ish-presidenti i parë që shpallet fajtor për një vepër penale, kur një juri në Nju Jork e shpalli fajtor për 34 akuza të ndryshme, të lidhura me një skemë për të ndikuar në mënyrë të jashtëligjshme zgjedhjet e vitit 2016.

Gjykata do të japë vendimin përfundimtar për dënimin e Trump më datë 26 nëntor, por procesi nuk e pengon ligjërisht të vazhdojë garën për President dhe të kërkojë një mandat të dytë.

Trump ka zgjedhur si kandidat për zëvendëspresident senatorin e Ohajos, James Vance./ Monitor