Alis Narazani zgjidhet kryetar i PD në Elbasan

Alis Narazani është zgjedhur kryetar i degës së Partia Demokratike në Elbasan, pas përfundimit të procesit zgjedhor brenda kësaj strukture.

Procesi i votimit u zhvillua përgjatë gjithë ditës, nga ora 08:00 deri në 18:00, dhe sipas drejtuesit të komanduar të degës, Gani Cani, ai ka vijuar normalisht dhe pa incidente. Në votim morën pjesë 1208 anëtarë me të drejtë vote.

Pas mbylljes së votimit, komisioni përkatës nisi menjëherë numërimin e votave, duke shpallur në përfundim fitues Alis Narazanin.

Në garë për drejtimin e degës së PD-së në Elbasan ishin gjithashtu Durim Çekrezi, i cili drejtonte përkohësisht degën pas largimit të Blendi Himçi, si dhe Elior Vila, Lumturi Hasa dhe Sokol Shkëlzeni.

Zgjedhja e Narazanit shihet si përfaqësim i një brezi më të ri në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike në nivel lokal.