Alarm në Librazhd: Shkumbini përmbyt lagjen pranë Parkut të Qershive, mungesa e argjinaturës kthehet në rrezik katastrofik

Prurjet e shumta të lumit Shkumbin, si pasojë e reshjeve të dendura të rëna gjatë 24 orëve të fundit, kanë shkaktuar një situatë alarmante përgjatë gjithë rrjedhës së tij, ku ndodhen edhe zona të banuara. Sot në mesditë, situata ka dalë jashtë kontrollit në periferi të qytetit të Librazhdit, ku autoritetet vendore kanë dhënë alarmin për përmbytje të menjëhershme.

Parku i Qershive, një nga hapësirat më të frekuentuara të qytetit, dhe një lagje e tërë përreth tij janë nën ujë. Banorët janë në panik, ndërsa niveli i ujit vijon të rritet me shpejtësi, duke përmbytur rrugë, oborre dhe biznese të vogla. Sipas informacioneve nga terreni, mungesa e pritës mbrojtëse dhe vonesa shumëvjeçare në ndërtimin e argjinaturës lumore kanë lënë këtë zonë të pambrojtur përballë furisë së ujërave.

Disa vite më parë u ndërtuan vetëm disa kilometra argjinaturë, projekt që fatkeqësisht nuk u çua deri në fund, duke mbetur i papërfunduar në segmentin më të rrezikshëm ,pikërisht aty ku lumi Rrapun derdhet në Shkumbin. Sot, pasojat e këtij neglizhimi janë bërë dramatike.Investime të kryera nga bizneset lokale dhe pushteti vendor po rrezikohen seriozisht, ndërsa dëmet në tokat dhe banesat pranë brigjeve po shtohen nga ora në orë.

Autoritetet vendore kanë kërkuar ndërhyrje urgjente të strukturave të emergjencave civile dhe të ushtrisë për të frenuar përhapjen e përmbytjeve. Ndërkohë, banorët apelojnë me shqetësim që kjo situatë të mos mbetet sërish një alarm kalimtar, por të nxisë përfundimisht ndërtimin e argjinaturës së munguar që prej vitesh.

Nëse reshjet vijojnë me këtë intensitet, rreziku i një katastrofe të plotë në këtë zonë të Librazhdit është i pashmangshëm. Shkumbini, që dikur ishte simbol i jetës dhe gjelbërimit të qytetit, sot po shndërrohet në një kërcënim real për banorët e tij.