“Ai s’më ka marrë me zor!”/ I arrestuan partnerin pasi u bë nënë në moshën 14-vjeçare, reagon e mitura: Dua që të lirohet burri im, kush do më ushqejë mua dhe fëmijën tim?!

KORÇË- Ditën e sotme në maternitetin e Korçës lindi fëmijën e saj një 14-vjeçare, por për këtë rast u arrestua i fejuari i saj 21-vjeçar. Ndaj të riut rëndon akuza për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.

Detaje të reja lidhur me ngjarjen janë bërë të ditura, ku mësohet se e mitura dhe 21-vjeçari i përkasin komunitetit egjiptjan. Bëhet me dije se çifti kishin një fejesë prej një viti, e cila dihej nga të dyja familjet.

Pak pasi ngjarja u bë publike, vajza 14-vjeçare me inicialet A.J, ka reaguar për mediat duke kërkuar lirimin e partnerit nga burgu. E mitura shprehet se nuk është marrë me zor nga 21-vjeçari dhe se tashmë ata kanë një fëmijë së bashku.

Më tej e mitura thotë se partneri ishte ai i cili kujdesej për të duke bërë dy punë, me qëllim që ti siguronte ushqim asaj dhe fëmijës.

“Unë s’kam si të jetoj, unë vetëm atë kam, një krah pune kisha” shprehet e mitura.

Fjala e plotë e të miturës A.J e cila u bë nënë në moshën 14-vjeçare:

Kam një vit që njihem me bashkëshortin. Jemi njohur ne Elbasan. U thashë edhe prindërve të mi. Ata ranë dakord dhe kam një vit me të. Unë kam një fëmijë me të, përse ta arrestojnë. Ai s’më ka marrë me zor. Dua që të lirohet burri im, kush do më ushqejë mua po fëmijën tim?! Dua të ma lironi që sot. Unë s’kam si të jetoj, unë vetëm atë kam, një krah pune kisha. Punonte ai, që më sillte për të ngrënë më shtëpi. Punonte dy punë, edhe ditën, edhe natën për të më sjellë bukë në shtëpi. Dua të ma lirojnë. Më kanë ardhur mami me babin nga Miloti, unë s’kam dhënë asnjë deklaratë në polici, por që dje jam njoftuar për burrin që e kam në polici.