Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara merr në administrim 102 kontejnerët e anijes “Moliva”

DURRËS- Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka marrë në dorëzim 102 kontejnerët, të cilët u shkarkuan ditën e sotme nga anija e ankoruar në Portin e Durrësit.

Në njoftimin e Ministrisë së Brendshme thuhet se i gjithë procesi është realizuar përmes një plani të detajuar masash dhe në zbatim të urdhërit të Prokurorisë së Durrësit.

Pas shkarkimit të kontejnerëve nga anija, ato janë transportuar larg zonave të banuara, në Porto Romano ku do të mbahen në monitorim dhe administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, deri në kryerjen e analizave laboratike.

POSTIMI I PLOTË:

AAPSK merr në administrim 102 kontenierët e anijes “Moliva” përmes procedurave strikte të kontrollit dhe sigurisë

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka marrë në dorëzim 102 kontenierët, të cilët u shkarkuan ditën e sotme nga anija e ankoruar në Portin e Durrësit.

I gjithë procesi është realizuar përmes një plani të detajuar masash, edhe në zbatim të urdhërit të Prokurorisë Durrës për zbarkimin dhe ruajtjen e 102 kontenierëve të anijes “Moliva”, në një vend të sigurt, larg zonave të banuara, si edhe duke respektuar në mënyrë rigoroze kushtet e sigurisë fizike, mjedisore dhe shëndetësore.

Të përfshirë në planin e masave janë një sërë institucionesh, ku përveç punonjësve të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në operacion kanë marrë pjesë edhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, Autoriteti Portual Durrës, Kapiteneria e Portit Durrës, Dogana Durrës, Drejtoria e Hetimit Doganor, si edhe Prokuroria e Durrësit.

Pas shkarkimit të kontenierëve nga anija, ato janë transportuar në masa rigoroze sigurie në destinacionin final ku do të mbahen në monitorim dhe administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Çdo veprim është regjistruar dhe dokumentuar përmes procesverbalëve dhe kontenierët janë kontrolluar, skanuar dhe verifikuar, që nga gjendja e tyre e jashtme, deri tek të gjithë elementët e tjerë të sigurisë.