A mund të ulet çmimi i energjisë në Shqipëri? Cilat janë alternativat për lehtësimin e familjarëve

Qeveria shqiptare ka paralajmëruar uljen e çmimit të energjisë elektrike duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Por cilat janë hallkat në të cilat duhet të kalojë procesi? Hapi i parë shtë padyshim aplikimi në Entin Rregullator të Energjisë. Aplikimi pranë Entit, këtë herë, mund të bëhet në një periudhë të ndryshme nga vitet e kaluara. Zakonisht, kërkesa për ndryshim tarifash bëhen në periudhën shtator – tetor, por gjithsesi praktikat e ERE tregojnë se shqyrtimi mund të realizohet në kohë, për të arritur që në 1 janar 2025 të hyjnë në fuqi tarifa të reja.

Sipas deklaratave të zëvëndëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, kërkesa për ulje çmimi do të bazohet te optimizimi i procesve teknike dhe financiare të 3 kompanive publike të energjisë, që janë OSHEE, KESH dhe OST.

Normalisht, janë shumë komponentë që merren në konsideratë, teksa një nga format që mund të ndiqet është ulja e çmimit të shitjes që aplikon KESH për OSHEE-në për konsumatorët familjarë, që aktualisht është në masën 2.6 lekë/kWh. Kjo do të ulte kostot e blerjes së energjisë elektrike nga FSHU, që është një nga kompanitë e OSHEE Group për këtë kategori konsumatorësh, duke u reflektuar në uljen e çmimit. Në këtë rast, barra do të duhet të mbahet nga KESH.

Ndërhyrje mund të kryhen edhe në tarifat e shpërndarjes së energjisë, që janë pjesë përbërëse e çmimit. Kjo do të pasohej me uljen e të ardhurave për OSSH-në, që është kompania tjetër e OSHEE Group, por deri diku kjo mund të kompensohet nga ulja e humbjeve në rrjet. Sipas të dhënave, në periudhën janar – shtator të këtij viti nga përmirësimi i humbjeve, përfitimi financiar përllogaritet në 5.6 mln euro, bazuar në çmimet aktuale të tregut.

Aktualisht, ka disa kategori klientësh që tarifohen me çmime të ndryshme për energjinë që konsumojnë. Gjithsesi, numrin më të lartë e përbëjnë abonentët familjarë, teksa tarifa e përcaktuar është 9.5 lekë/kWh.

Ky çmim aplikohet edhe për objektet e kultit dhe bashkësitë fetare. Për bizneset e lidhur në tensionin 20, 10 dhe 6 kV aplikohet tarifa prej 11 lekë/kWh, ndërsa bizneset e lidhur në tensionin 0.4 kV tarifohen me 14 lekë/ kËh për energjinë që konsumonë

Ndërkaq, pak muaj më parë u miratua edhe skema e ere e tarifimit për furrat e bukës dhe pasticersive. Sipas skemës së re, për furrat e bukës, që s’kanë asnjë aktivitet tjetër të integruar, çmimi është 7.6 lekë/kWh. Ndërkohë që, për ato ambiente që kanë furra buke, produkte pastiçerie apo dhe produkte të tjera të brumërave, çmimi që do të aplikohet do të jetë 9.5 lekë/kWh. Kategoria e tretë përfshin ato ambiente që janë më të zgjeruara e që kanë të përfshirë ekspres, bar dhe kafe, për të cilat çmimi do të jetë 12 lekë/kWh.