PS refuzoi autorizimin për arrestimin e Ballukut, Bardhi: Jo pasaportë europiane, po as atë iraniane nuk marrim me këtë standard

TIRANË, 10 mars 2026 – Gazmend Bardhi, kreu i grupit parlamentar të Partia Demokratike, reagoi pas vendimit të Partisë Socialiste për të refuzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, duke mos i dhënë autorizimin.

Bardhi e konsideroi vendimin një sinjal shqetësues për standardet e sundimit të ligjit në vend:

“Sot, kur ligji ka trokitur në paradhomën e tij, Edi Rama ka ndryshuar standard. Për Belindën, që ka abuzuar me të paktën 1.1 miliardë euro, ligji nuk mund të jetë kaq i barabartë sa për të gjithë të tjerët.”

Ai theksoi gjithashtu shqetësimin për perceptimin ndërkombëtar të Shqipërisë:

“Çfarë mesazhi u kemi dërguar sot vendeve të Bashkimit Europian, që na kërkojnë sundimin e ligjit dhe luftë reale kundër korrupsionit në nivelet më të larta? E them me bindje: jo pasaportë europiane, por as pasaportë iraniane nuk marrim me këtë standard, ku hetimi nuk përcaktohet nga prokuroria, por nga Gjykata supreme e mazhorancës qeverisëse. Sistemi i drejtësisë sipas vizionit të Ramës ka këtë hierarki: Gjykata e shkallës së parë, Apeli, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Grupi parlamentar i Partisë Socialiste.”