Tiranë, 23 janar 2026 – Ora 18:05
Policia e Tiranës njofton se ditën e nesërme do të zhvillohet një protestë kombëtare e organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila do të nisë në orën 17:00 përpara Kryeministrisë.
Sipas njoftimit zyrtar, përfaqësues të subjektit politik kanë informuar paraprakisht Policinë, në përputhje me ligjin “Për tubimet”. Në këtë kuadër, Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Për mbarëvajtjen e tubimit, do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit dhe parkimit të automjeteve në disa akse rrugore:
Duke nisur nga ora 23:45 e ditës së sotme, do të bllokohet qarkullimi dhe parkimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”, deri në përfundim të tubimit.
Nga ora 15:00 e ditës së nesërme dhe deri në përfundim të protestës, do të ndalohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia bën me dije se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime edhe në akse të tjera rrugore. Në këto raste, qarkullimi do të devijohet në rrugë alternative, për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.
Gjithashtu, Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e bllokuara dhe të tregojnë kujdes, duke u distancuar nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.













