Departamenti i Drejtësisë në SHBA publikoi të premten “Dosjen Epstein”, e cila përmban mijëra dokumente të reja dhe materiale të panjohura më parë që i përkasin arkivit të Jeffrey Epstein, i akuzuar për skandalin më të madh të abuzimit seksual në SHBA.
Në faqen e re të Departamentit të Drejtësisë, të quajtur “Epstein Library”, shpjegohen qartë katër kategoritë kryesore të dokumenteve të publikuara. Dokumentet janë pjesë e dosjeve gjyqësore, materialeve të Departamentit të Drejtësisë, regjistrimeve private autentike, si edhe dokumenteve të tjera zyrtare.
Fotot që kanë bërë më shumë bujë janë ato me ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe figura të njohura të botës së showbiz-it. Imazhet shfaqin Bill Clinton, si edhe Mick Jagger, Michael Jackson dhe Kevin Spacey. Në foto nuk vihet re ndonjë shkelje ligjore, por ende nuk janë të qarta lidhjet e personazheve të njohur me skandalet ku është përfshirë Jeffrey Epstein.
Dy nga imazhet e publikuara tregojnë ish-presidentin e SHBA-së Bill Clinton në një pishinë. Fotografitë nuk janë të datuara dhe nuk është e qartë se ku janë realizuar.
Në njërën prej tyre, Clinton shihet duke notuar pranë dy personave. Identiteti i njërit është redaktuar me një katror të zi, ndërsa tjetri duket se është Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e dënuar e Epstein, e cila po vuan një dënim 20-vjeçar për trafikim seksual.
Clinton është fotografuar disa herë me Epstein gjatë viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000, përpara arrestimit të parë të financierit. Clinton nuk është akuzuar kurrë për shkelje ligjore nga të mbijetuarit e abuzimeve të Epstein dhe ka mohuar dijeninë për krimet seksuale të tij.
Në vitin 2019, një zëdhënës i Clinton deklaroi se ish-presidenti “nuk di asgjë për krimet e tmerrshme” për të cilat Epstein ishte shpallur fajtor.
Në dosjen e publikuar nga Departametenti i Drejtësisë ka dhe foto të presidentit aktual, Donald Trump dhe personazheve të tjerë, të cilat janë publikuar më herët në media gjatë proceseve gjyqësore të Epstein. Departamenti tha se rreth 1200 emra dhe foto janë redaktuar për të ruajtur identitetin e viktimave.
Jeffrey Epstein filmonte dhe dokumentonte gjithçka
Departamenti i Drejtësisë në SHBA tha se publikimi i “Epstein Library” shënon një hap të rëndësishëm drejt transparencës, duke bashkuar për herë të parë në një vend të vetëm një arkivë të gjerë dokumentesh që hedhin dritë mbi një nga skandalet më të rënda të dekadave të fundit në SHBA.
Arkiva përmban mijëra foto, dokmente dhe material filmike. Jeffrey Epstein kishte zakon të mbante shënime dhe arkiva të shumta, përfshirë edhe regjistrime video për aktivitetet e tij. Në dosje ka materiale fotografike, CD të shumta ku ruhen imazhe, si edhe fotografi të kasetave audio me regjistrime.
Një prej imazheve nga banesa e Epstein në Nju Jork tregon një regjistrues zëri, ndërsa fotografi të tjera paraqesin kaseta audio. Në disa prej tyre, përshkrimet e shkruara me dorë janë redaktuar nga Departamenti i Drejtësisë.
Po ashtu ka edhe imazhe të kasetave, të cilat duket se janë kaseta survejimi nga rezidenca e Epstein në Palm Beach.
Në dosje gjenden edhe shumë shënime të shkruara me dorë, disa prej të cilave përmendin Ghislaine Maxwell, e dënuar në vitin 2021 për rolin e saj në lehtësimin e krimeve të Epstein.
Kush ishte Jeffrey Epstein?
Jeffrey Epstein ishte një financier amerikan, i njohur gjerësisht për një nga skandalet më të mëdha të abuzimit seksual dhe trafikimit të të miturve në SHBA.
Epstein u akuzua për abuzim seksual dhe trafikim të vajzave të mitura, disa prej tyre nën moshën 14 vjeç. Gjithashtu dyshohej se kishte krijuar një rrjet shfrytëzimi seksual, me përfshirjen e bashkëpunëtorëve.
Bashkëpunëtorja e tij më e afërt, Ghislaine Maxwell, u dënua në vitin 2021 me 20 vjet burg për rolin e saj në lehtësimin e krimeve të Epstein.
Epstein përmendet shpesh për shkak të lidhjeve të tij me figura të fuqishme dhe faktit se shumë dokumente, foto dhe prova janë publikuar vetëm vite më vonë. Ai vdiq në burg në gusht 2019 duke vrarë veten, ndonëse rasti ka ngritur shumë dyshime dhe teori.
















