Qeveria shtyn mbledhjen pas pezullimit të Ballukut, vëmendja zhvendoset te samiti i Pallatit të Brigadave

Tiranë, 20 nëntor 2025 — Pas vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, Kryeministria njoftoi të enjten se mbledhja e qeverisë e parashikuar për ditën e premte në orën 09:00 nuk do të zhvillohet.

Mbledhja ishte cilësuar si urgjente dhe vinte një ditë pas masave të marra ndaj Ballukut dhe dy vartësve të saj, Gentjan Gjyli dhe Erald Elezi. Për Gjylin dhe Elezin u caktua masa e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për Ballukun u vendos pezullimi nga detyra dhe ndalimi i daljes jashtë vendit, në kuadër të hetimeve për shkelje të barazisë në tendera.

Ende nuk është bërë i ditur qëllimi i mbledhjes së planifikuar, ndërsa të mërkurën nuk u zhvillua mbledhja e zakonshme qeveritare për shkak të seancës parlamentare mbi projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, Kryeministria njoftoi se në orën 09:30, në Pallatin e Brigadave, do të nisë Samiti “Growth Plan – Our pathway to EU”, ku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, do të diskutojnë mbi planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe afrimin e rajonit me tregun europian.