Seanca maratonë/ PS miraton në parim buxhetin 8.8 mld euro dhe paketën fiskale, opozita kundër! Braçe nuk voton pr.ligjin për taksat vendore, Sinaj ‘paqen fiskale’

Në një seancë maratonë, që zgjati thuajse 16 orë, Kuvendi ka miratuar në parim projektbuxhetin 2026 me vlerë 8.8 mld euro, si edhe 8 projektligjet e paketës fiskale. Seanca maratonë zgjati deri në orën 03:00 të mëngjesit. Buxheti mori vetëm 83 votat pro të socialistëve, ndërsa siç pritej opozita ka votuar kundër.

Vetëm dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj kanë dalë nga rreshti duke mos votuar 3 projektligje të paketës fiskale. Konkretisht, Braçe nuk mori pjesë në votim tek projektligji “Për sistemin e taksave vendore”, ndërsa Sinaj nuk votoi 2 projektligjet e paqes fiskale.

Buxheti prej 8.8 miliardë eurosh do të jetë në dispozicion të institucioneve për shërbime shëndetësore, paga, skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për sigurinë, në kuadër të detyrimeve ndaj NATO-s.

Si u votua në Kuvend?
Votimi: 83 vota pro, 31 kundër
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Votimi: 83 pro, 32 kundër
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”
Votimi: 83 pro, 32 kundër
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”
Votimi: 82 pro, 32 kundër (Braçe nuk voton)
Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar
Votimi: 83 vota pro, 32 kundër
Projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar
Votimi: 82 pro, 32 kundër (Sinaj nuk voton)
Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”
Votimi: 83 pro, 31 kundër
Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”
Votimi: 82 vota pro, 30 kundër (Sinaj nuk voton)
Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”
Votimi: 83 pro, 32 kundër
Projektligji “Për buxhetin e vitit 2026”
Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”, parashikon faljen e rreth 500 milionë euro detyrime e gjoba që bizneset i kanë të papaguara deri në 31 dhjetor 2014. Po ashtu, lehtësohen detyrimet e krijuara nga 2015-2024, por me kushte, pasi një pjesë e borxhit duhet paguar brenda 2026-ës.

“Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”, propozon bërjen e një marrëveshje maksimumi 3-vjeçare me bizneset me xhiro mbi 14 milionë lekë, duke negociuar fitimin e tyre. Pra, mbi fitimin e deklaruar të një biznesi do të shtohet një marzh 18%, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%. Praktikisht, një biznes me fitim 15 milionë lekë, në vitin paraardhës, i shtohet një marzh prej 18% ose 2.7 milionë lekë, duke e çuar fitimin në 17.7 milionë lekë, që tatohet me 15%. Ndërsa çdo lekë mbi 17.7 milionëshin tatohet me 5%. Ky është favor për bizneset e mëdha, të cilët aktualisht për çdo fitim tatohen me 15%.

Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” parashikon t’u japë mundësinë të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të përafrojnë vlerën e pronës së tyre me çmimet reale të tregut kundrejt një norme tatimore 5%. Konkretisht nëse një person ka blerë një pronë 100 mijë euro dhe sot e shet 120 mijë euro, ai do të duhet të paguaj 15% tatimin për këtë diferencë prej 20 mijë eurosh qytetari i detyrohet shtetit 3 mijë euro, ndërsa me këtë ndryshim kur bëhet përafrimi i çmimit me vlerën e tregut tatimi zbret në 5%, dhe paguan 1000 euro.

Sa i përket ndryshimeve në ligjin aktual të TVSH, rikthehet kompensimi në bujqësi. Për çdo faturë që fermerët do të marrin nga grumbulluesit kur iu shesin produktin do të kompensohen me 10% të vlerës së saj,

Projektligji për ndryshimin e ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ul tavanin për pagesat cash mes bizneseve nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, si dhe kufizon për herë të parë në 500 mijë lekë vlerën e pagesave që mund të bëjnë me para në dorë individët apo të vetëpunësuarit.

Projektligji “Për sistemin e taksave vendore”, që nis të diskutohet në komisione, parashikon të përjashtojë të gjitha investimet të financuara nga buxheti i njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, të ndërtimeve për qëllime publike në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Ndërsa dy nismat e tjera pjesë e ‘PAKETËS’, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, si dhe projektligji për të ndryshuar ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, parashikojnë një sërë lehtësish fiskale për sponsorizimet në sport si dhe në fushën e zhvillimit dhe kërkimit.