BIRN: Si u shtrembërua studimi koreano-jugor duke përhapur panik mbi vaksinat dhe kancerin

Më 9 nëntor, kardiokirurgu Edvin Prifti shpërndau katër foto nga një studim i kryer në Korenë e Jugut, me titull: “Rreziqet 1-vjeçare të kancerit të lidhura me vaksinimin COVID-19: një studim kohorte i bazuar në popullsi në Korenë e Jugut”.

Prifti e shoqëroi postimin me një interpretim personal, duke pretenduar se materiali vërtetonte një lidhje direkte mes vaksinave dhe kancerit.

“Nuk ka asnjë shpjegim tjetër përveçse urrejtjes ndaj njeriut! Një holokaust pa asnjë diskriminim!”, shkroi ai.

Mbi 15 faqe online në gjuhën shqipe, përfshirë të përditshmen Gazeta Dita dhe portale të tjera, e shpërndanë postimin e Priftit me tituj alarmues. Postimi u rishpërnda nga 129 ndjekës të kardiokirurgut shqiptar dhe gjeneroi video virale në rrjetet sociale.

Studimi që i referohet Dr.Prifti, i publikuar nga revista “Biomarker Research”, ka si autorë katër shkencëtarë koreano jugor.

Megjithatë, ndryshe nga pretendimi i doktorit shqiptar, ai nuk shkruan se ka një lidhje shkakësorë midis vaksinimit kundër COVID-19 dhe rritjes së rrezikut të sëmundjes së kancerit.

Vetë autorët e studimit theksojnë në mënyrë specifike në konkluzionet e publikuara se gjetjet e tyre nuk provojnë lidhje shkak-pasojë mes kancerit dhe vaksinës.

“Nevojiten studime të mëtejshme për të sqaruar marrëdhëniet e mundshme shkakësore,” shkruajnë ata në konkluzionet e studimit.

I pyetur nga BIRN mbi deklaratën e tij për studimin, kardiokirurgu Prifti këmbënguli në qëndrimin e tij për lidhjen e vaksinë me kancerin.

“Në konkluzion, mendoj që të dhënat janë të shumta dhe kokëforta,” tha ai, duke pranuar gjithsesi se “duhen studime të tjera”.

Një lajm i vjetër dhe i përgënjeshtruar

Zhurma e krijuar së fundmi në Shqipëri mbi këtë studim, bazohet në një lajm që është përgënjeshtruar prej kohësh në arenën ndërkombëtare. Studimi, i publikuar fillimisht në “Biomarker Research” si letër për redaktorin, u bë viral në botën anglisht folëse pas një artikulli sensacionalist në gazetën britanike ‘Daily Mail‘ më 29 shtator.

Ekspertët dhe faqe të verifikimit të fakteve, si Full Fact, reaguan menjëherë, duke detyruar Daily Mail të korrigjonte artikullin. Në versionin e rishikuar, gazeta sqaroi se studimi nuk provonte lidhje mes vaksinës dhe tumoreve. Patologët shpjeguan se “është e pamundur mjekësisht që një kancer solid të zhvillohet deri në atë pikë sa të diagnostikohet brenda një viti”.

Sipas ekspertëve, rritja e numrit të diagnozave lidhet me faktin se personat e vaksinuar kanë kryer më shumë vizita mjekësore gjatë pandemisë COVID-19, duke çuar në zbulimin e sëmundjeve ekzistuese, jo në krijimin e tyre nga vaksina.

Përtej studimit koreano-jugor, Dr.Prifti tha se ishte i bindur për vërtetësinë e lidhjes midis vaksinës kundër COVID-19 dhe tumoreve.

Për të mbështetur tezën e tij, Prifti referoi një tjetër studim nga Italia me rreth 300,000 banorë, ku sipas tij ishte gjetur një rritje prej 23% e tumoreve te të vaksinuarit. Por edhe në këtë rast, interpretimi bie ndesh me konkluzionet e autorëve. Studiuesit italianë theksojnë se: “Subjektet që morën vaksinën treguan pothuajse përgjysmim të rrezikut të vdekjes nga çdo shkak pas një periudhe ndjekjeje prej 25 muajsh.”

Edhe këtu, autorët sqarojnë se zbulimi i më shumë rasteve të kancerit lidhet me monitorimin më të shpeshtë mjekësor të personave të vaksinuar dhe jo me shkaktimin e sëmundjes nga vaksina.

Rishpërndarja e shpejtë e këtij informacioni alarmant në një numër të madh mediash online shqiptare tregon sërish për cenueshmërinë e publikut dhe mangësitë serioze në procesin e verifikimit të fakteve në peizazhin mediatik vendas.

Dezinformatat shëndetësore, veçanërisht ato që lidhen me vaksinat, gjejnë shpesh terren pjellor në Shqipëri, veçanërisht kur vijnë nga figura autoritare si mjekët.

Pandemia e COVID-19, në nivel global, u shoqërua me atë që Organizata Botërore e Shëndetësisë e quajti “infodemi” – një përhapje masive dhe e shpejtë e informacionit të pasaktë, shpeshherë me qëllim manipulimin.

Në Shqipëri, kjo valë dezinformimi goditi veçanërisht vaksinat, duke ushqyer hezitimin te një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve, pavarësisht fushatës së institucioneve shëndetësore për imunizim.

Pasojat e drejtpërdrejta të këtyre pretendimeve të pavërteta shëndetësore janë të rënda. Ato jo vetëm mbjellin panik dhe pasiguri, por potencialisht pengojnë shkallën e vaksinimit dhe rrisin rrezikun e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në popullatë./ Reporter.al