Si ekonomia amerikane po shndërrohet në një bankë të vetme gjigante

SHBA- Shumica e korporatave të mëdha, nga linjat ajrore deri te platformat e mediave sociale, tani synojnë të bëhen banka të parregulluara. Procesi i “bankifikimit” sot përfaqëson marzhet më të larta të fitimit në ekonominë amerikane, duke dëmtuar kapacitetin prodhues dhe duke përgatitur terrenin për krizën e ardhshme financiare.

Ekonomia amerikane po shndërrohet në një bankë gjigante të vetme.

Starbucks mban pothuajse 2 miliardë dollarë të klientëve të saj në programin e shpërblimeve. Kjo shumë është më e madhe se depozitat totale që menaxhojnë 85% e bankave të licencuara në SHBA, duke e bërë këtë zinxhir kafesh një nga institucionet më të mëdha financiare në vend.

Në të kundërt, Capital One, një nga bankat më të mëdha në botë, tashmë operon kafenetë e veta nëpër rrugët e qyteteve.

Linjat ajrore janë kthyer në pak më shumë se banka fluturuese, pasi ato fitojnë më shumë nga shitja e pikëve të fluturimeve të shpeshta të kompanive të kartave të kreditit sesa nga vetë transporti i pasagjerëve.

Më shumë amerikanë se kurrë janë sot në borxh ndaj supermarketit të tyre për shkak të huave grabitqare “bli tani, paguaj më vonë”, që u ofrohen në momentin e pagesës në arkë.

Nëse përfundon në një procedurë urgjente mjekësore, infermierja mund të të pyesë nëse do të preferoje ta paguash me një plan pagese me këste, një mënyrë gjithnjë e më e zakonshme për të financuar shpenzimet shëndetësore.

Dhe nëse nuk arrin të paguash qiranë në kohë, së shpejti mund të bëhet normale që vetë pronari i shtëpisë të të ofrojë një hua, duke të futur kështu në borxh ndaj qiradhënësit.

Këto janë pamje të një vale të re financiarizimi që po përfshin gjithë vendin, ku kufijtë mes financës dhe tregtisë po zbehen.

Sot, mbi 40% e amerikanëve paguajnë për produkte bazë si ushqimet apo shërbimet shëndetësore me para të huazuara, dhe kjo përjashton përdorimin e kartave të kreditit.

Një e treta e të rinjve amerikanë i mbajnë kursimet e tyre në platforma teknologjike që nuk janë banka, si Venmo, ndërsa industritë që variojnë nga tregtia te transporti nxjerrin nga 14 deri në 50% të fitimeve të tyre nga partneritetet me kompanitë e kartave të kreditit.

Edhe pse kjo formë e re e financiarizimit merr shumë trajta, qëllimi është i njëjtë: shumica e korporatave të mëdha tashmë synojnë të bëhen banka të parregulluara duke krijuar mënyra të reja për të fituar edhe më shumë para.

Bankat që operojnë karta krediti janë ndër bizneset me marzhin më të lartë fitimi në ekonomi. Çdo kompani kërkon një copë nga “torta”, që arrihet nga tarifat e larta dhe kostot e ulëta operative.

Kjo tendencë është përshpejtuar nga investitorët e Silicon Valley, të cilët e quajnë me një term disi oruellian “financa e integruar” (embedded finance). Të tjerë e quajnë “bankifikim”.

Promovuesit e financës së integruar premtojnë një botë të “transaksioneve pa pengesa”, duke ofruar efikasitet dhe lehtësi për konsumatorët përmes ndërthurjes së shërbimeve financiare dhe jofinanciare.

Por këto burime të reja fitimi sjellin edhe një sërë rreziqesh potenciale. Rregullatorët e politikave financiare paralajmërojnë se bankifikimi po nxit praktika grabitqare dhe mashtruese, që dëmtojnë konsumatorët, punëtorët dhe bizneset e vogla.

Madje mund të përgatisë terrenin për krizën e ardhshme financiare. Sepse, në fund të fundit, a mund t’i besohet një fabrike produktesh që të menaxhojë paratë e klientëve dhe të marrë vendime të sigurta huadhënieje, pa rrezikuar gjithë sistemin financiar?

Gjatë administratës Biden, rregullatorët miratuan rregulla dhe nisën hetime për të kufizuar ambiciet e reja bankare të korporatave. Por këto masa janë shfuqizuar më pas nga administrata Trump, e cila ka sinjalizuar se do të hapë rrugë të reja për këtë bashkim të financës me tregtinë, një eksperiment që mund të rezultojë i rrezikshëm për vendin.

“Bankifikimi përmbledh gjithçka që duhej të kishim mësuar nga viti 2008 dhe gjithçka që mund të shkojë keq”, tha Arthur Wilmarth, profesor emeritus i së drejtës në Universitetin George Washington dhe autor i librit “Taming the Megabanks: Why We Need a New Glass-Steagall Act”, që paralajmëron për pasojat e përfshirjes së institucioneve jobankare në sistemin financiar.

“Është receta për një krizë të re hipotekore, versioni 2.0. Pse do të donim ta shihnim sërish këtë skenar?”

Grali i shenjtë i monopoleve

Kombinimi i bankave me tregtinë ka qenë një ëndërr e vjetër e “baronëve grabitqarë” të kapitalizmit. Në shekullin e 19-të, industrialistë si John Pierpont Morgan dhe Jay Gould përdorën pasuritë e tyre bankare për të financuar zgjerimin e projekteve të tyre hekurudhore.

Në shekullin e 20-të, perandori bankare si TransAmerica e A.P. Gianninit (që më vonë u bë Bank of America) kontrollonin ndërmarrje prodhimi që varionin nga nafta dhe gazi, deri te ndërtimi i banesave dhe madje ushqimet e ngrira, derisa Kongresi i detyroi këto konglomerate të shisnin aktivitetet e tyre tregtare.

Procesi i “bankifikimit” ndjek zakonisht të njëjtin model: sapo kompanitë arrijnë të dominojnë tregun, monopoli mbi sektorët industrialë të rëndë nuk mjafton më. Ato e kthejnë vëmendjen te burimi jetik i tregtisë, bankingu, ku mund të fitojnë para, përmes dhënies së kredive që kthehen me interes dhe përmes mbledhjes së tarifave mbi transaksionet financiare.

Në vend që të negociojnë me bankierë të kujdesshëm ndaj rrezikut apo të kërkojnë investitorë të rinj për financim, korporatat mund të krijojnë institucionet e tyre financiare për të marrë depozita nga klientët, për të shfrytëzuar këto fonde për të financuar projektet e veta me norma më të favorshme, dhe për t’u prerë aksesin bankar konkurrentëve që hyjnë në tregun e tyre apo sindikatave që ndërhyjnë në aktivitetin e kompanisë.

Megjithatë, financiarizimi gjithnjë e më i thellë ka dëmtuar rëndë ekonominë amerikane.

Pas një vale problemesh rregullatore në vitet ’80, Wall Street kërkoi të zgjerohej përtej kufijve të financave tradicionale.

Gjatë epokës së blerjeve agresive korporative, fondet e kapitalit privat dhe fondet spekulative (hedge funds) filluan të përvetësonin gjithnjë e më shumë kompani të listuara në Fortune 500 përmes blerjeve dhe zotërimit të aksioneve në treg.

Presioni për të garantuar kthime për aksionerët shtyu kompanitë të zhvendosnin prodhimin jashtë vendit duke e lënë Shtetet e Bashkuara me një ekonomi të dominuar nga financat dhe teknologjia e softuerëve.

Me gjithë planet për të kontrolluar plotësisht ekonominë financiare, ligjvënësit kanë qenë prej kohësh të vetëdijshëm se ndërthurja e bankingut me tregtinë do të përbënte rrezik të madh financiar.

“Ne i trajtojmë bankat si institucione sistemikisht të rëndësishme për shoqërinë, ndaj i subvencionojmë si një e mirë publike, për shembull, përmes sigurimit nga FDIC, sepse nëse një bankë del nga tregu, kjo përbën një problem të përmasave që nuk ndodh kur mbyllet, fjala vjen, një Macy’s,” shpjegon Brad Lipton, drejtor i programit për pushtetin korporativ dhe rregullimin financiar në Institutin Roosevelt dhe ish-rregullator i lartë i mbrojtjes së konsumatorëve gjatë administratës Biden. “Nuk do të doje t’i përzije këto dy botë”.

Rregullatorët vendosën për herë të parë një ndarje të qartë ligjore mes këtyre sektorëve me Aktin Kombëtar të Bankave të vitit 1864, i cili përcaktoi rregullat për licencat bankare kombëtare.

Më pas, Akti i Shoqërive Bankare të vitit 1956 e forcoi këtë ndarje, duke synuar t’i mbyllte boshllëqet, që konglomeratet përdornin për të anashkaluar ligjin përmes filialeve të tyre bankare.

Por korporatat amerikane kanë gjetur vazhdimisht mënyra për t’i anashkaluar këto kufizime ligjore.

Përplasja e fundit madhore për të ruajtur një ndarje të qartë mes bankingut dhe tregtisë ndodhi pas krizës financiare të vitit 2008. Në prag të kolapsit, që do të sillte mbi 5 milionë humbje banesash dhe rreth 10 milionë humbje vendesh pune, kompani të mëdha tregtare si General Motors dhe General Electric shfrytëzuan një boshllëk ligjor dekada të vjetër për të operuar si kompani industriale huadhënieje (industrial loan companies).

Këto njësi financiare pothuajse të parregulluara morën vendime të dobëta huadhënieje, si për shembull blerjen e portofolave gjithnjë e më të mëdhenj kredish hipotekore të rrezikshme. Dështimet masive të këtyre kredive përfundimisht çuan në falimentimin e pronarëve të tyre dhe në nevojën për shpëtim financiar nga qeveria federale.

Akt i Dodd-Frank, i miratuar në vitin 2010, u përpoq t’u jepte fund këtyre bankave industriale, duke vendosur një moratorium federal mbi licencat e reja bankare, ndër të tjera reforma financiare. Por që atëherë, një valë e re dhe e guximshme “bankifikimi” ka marrë formë, duke e zhvendosur gjithnjë e më shumë vëmendjen e korporatave amerikane nga prodhimi drejt shfrytëzimit financiar.

Katër kalorësit dixhitalë të apokalipsit bankar

Në vitin 2020, një partner i përgjithshëm në fondin e madh të kapitalit sipërmarrës Andreessen Horowitz mbajti një fjalim me titull “Çdo kompani do të bëhet një kompani fintech.”

Në të, ai paraqiti vizionin pas një industrie të re në lindje të quajtur “financa e integruar”, duke u bërë thirrje kompanive të çdo lloji që të integrojnë shërbime financiare në operacionet e tyre, përndryshe, do të humbnin mundësitë për rritje në të ardhmen.

Sot, termi “financa e integruar” shfaqet pothuajse në çdo prezantim për investitorë dhe në panele konferencash, po aq shpesh sa fjalët “Inteligjencë Artificiale” dhe “kripto”.

“Bota e biznesit e kuptoi se shtimi i një elementi të shërbimeve financiare pothuajse në çdo produkt është mënyra më e mirë për t’u bërë më tërheqës për Silicon Valley dhe Wall Street”, tha Seth Frotman, ish-këshilltar i përgjithshëm i Byrosë së Mbrojtjes Financiare të Konsumatorit gjatë administratës Biden.

Së bashku me fonde të tjera të mëdha investimi, Andreessen Horowitz tashmë ka aksione të rëndësishme në këto sipërmarrje.

Vetë fondi ka vlerësuar se shtimi i shërbimeve financiare, nga shitja e garancive të sigurimit për mallra, deri te përshpejtimi i procesit të pagesës online përmes përdorimit të të dhënave të konsumatorëve, mund t’u rrisë të ardhurat kompanive nga dy deri në pesë herë për çdo klient duke gjeneruar 230 miliardë dollarë të ardhura shtesë deri në fund të këtij viti.

Fokusi kryesor i Big Tech deri më tani ka qenë te shërbimet e përpunimit të pagesave, përmes të cilave kompanitë mund të marrin tarifa për çdo transaksion. Apple Pay, rrjeti më i madh i këtij lloji, tashmë ka rreth 750 milionë përdorues aktivë në mbarë botën dhe lehtëson transaksione që arrijnë në triliona dollarë.

Edhe Google, Meta, Amazon dhe tani madje edhe OpenAI, operojnë rrjetet e tyre të pagesave, të cilat veprojnë si ndërmjetës për të mundësuar pagesa pa kontakt dhe për të menaxhuar paratë e përdoruesve.

Së bashku me kompanitë e teknologjisë financiare si PayPal, Venmo dhe CashApp, këto aplikacione ofrojnë portofola dixhitalë të lidhur zakonisht me llogaritë bankare të klientëve, ku mbahen bilancet dhe kryhen transfertat.

Këto rrjete pagesash e kanë shndërruar industrinë e shërbimeve financiare me shpejtësi të frikshme, aq sa bankat e Wall Street kanë filluar të tremben.

Megjithëse produktet duken të përshtatshme për konsumatorët, shërbimet e përpunimit të pagesave mbartin një sërë rreziqesh financiare.

Së pari, ndonëse tarifat e transaksioneve të këtyre rrjeteve janë më të ulëta se tarifat e kartave të kreditit, me përhapjen e tyre masive dhe rritjen e fuqisë së tregut, normat mund të rriten ndjeshëm. Apple Pay mbledh një komision standard më pak se 1% për çdo transaksion, por në total, kjo përkthehet në një fitim miliarda dollarë për kompaninë.

Një tjetër problem është se kompanitë teknologjike menaxhojnë paratë e përdoruesve pa mbrojtjen ligjore që ofrojnë institucionet tradicionale financiare.

Kur paratë ndodhen në një bankë, ato zakonisht janë të siguruara nga FDIC (Agjencia Federale e Sigurimit të Depozitave), e cila i rimburson klientët nëse fondet e tyre humbasin gjatë një krize bankare apo kolapsi. Por paratë që qëndrojnë në një llogari Venmo ose në Apple Wallet nuk janë të siguruara.

Rregullatorët financiarë vlerësojnë se këto aplikacione pagesash mbajnë miliarda dollarë depozita pa asnjë sigurim. Nëse aplikacionet do të pësonin një defekt teknik, një sulm kibernetik apo do të falimentonin papritur, përdoruesit mund të humbnin paratë e tyre.

Kjo ndodhi në vitin 2024, kur kompania Synapse, që shërbente si lidhje midis aplikacioneve fintech si Juno dhe Yotta me bankat, falimentoi papritur, duke vënë në rrezik gati 100 mijë klientë që mund të humbnin kursimet e jetës. Mijëra prej tyre i humbën vërtet.

Ekspertët paralajmërojnë se me ritmet aktuale të rritjes, gjigantët teknologjikë mund të arrijnë një shkallë që i bën “shumë të mëdhenj për të dështuar”, duke kërkuar në rast krize shpëtim me para publike për të shmangur një kolaps ekonomik kombëtar.

“A imagjinoni miliona përdorues që mbajnë balanca në llogaritë e tyre të Amazon, dhe diçka shkon keq me korporatën?” – tha Amanda Fischer, eksperte politike financiare në organizatën kërkimore Better Markets, e cila ka shërbyer si shefe kabineti dhe këshilltare e kryetarit të Komisionit të Letrave me Vlerë (SEC) gjatë administratës Biden. “Ky është një mekanizëm i përsosur për ta mbajtur peng qeverinë amerikane”.

Ekziston edhe një shqetësim tjetër: faktori kryesor që nxit rrjetet e pagesave të kompanive të mëdha teknologjike (Big Tech), si dhe gjithë industrinë e financave të integruara, janë mundësitë e reja për mbikëqyrje të konsumatorëve.

“Pagesat janë kthyer nga një sektor i mërzitshëm, i errët dhe teknik, në vijën e parë të çështjeve të konsumatorit dhe pjesa më e madhe e kësaj vjen nga monetizimi i të dhënave financiare”, tha Frotman, ish-këshilltari i përgjithshëm i CFPB-së.

Ai shtoi se informacioni financiar i përdoruesve është ndër kufijtë e fundit të privatësisë së të dhënave, sepse, ndryshe nga sjelljet e blerjeve online apo gjurmimi i vendndodhjes, të dhënat financiare janë ruajtur tradicionalisht nga banka shumë të rregulluara dhe të mbikëqyrura ngushtë.

Duke drejtuar rrjetet e pagesave, Google, Meta dhe Amazon kanë një pamje “nga lart” të të gjitha transaksioneve financiare që ndodhin jo vetëm në platformat e tyre, por edhe në të tjera, kur përdoruesit paguajnë përmes portofolave dixhitalë.

Në një fjalim të vitit 2023, ish-drejtori i CFPB-së, Rohit Chopra, paralajmëroi se kompanitë teknologjike “kanë një nxitje të fortë për të monitoruar çdo aspekt të transaksioneve të konsumatorëve, pasi këto të dhëna mund të japin avantazh për pjesët e tjera të biznesit të tyre”.

Duke identifikuar zakonet e blerjes së përdoruesve, kompanitë mund t’i shfrytëzojnë ato për t’u shitur më shumë produkte ose për t’i mbajtur sa më gjatë në platformë. Për më tepër, duke pasur kontroll mbi shërbimet bankare, kompanitë teknologjike mund të përjashtojnë përdoruesit nga sistemi financiar për çdo arsye, një proces që njihet si “debanking.”

“Aktivitetet e mbikëqyrjes korporative mund të hapin gjithashtu një gamë çështjesh që lidhen me spiunazhin, gjurmimin dhe censurën”, tha Chopra.

Ndërkohë, hyrja e Silicon Valley në sektorin bankar ka krijuar edhe një efekt të kundërt: e ashtuquajtura “bankifikim i Wall Street”. E kërcënuar nga pushtimi i Big Tech, vetë industria tradicionale financiare po përpiqet të hyjë në territorin e teknologjisë.

Për shembull, JPMorgan vitin e kaluar hapi një agjenci reklamash dixhitale për të konkurruar me perandorinë e reklamave të Big Tech.

Kompani të kartave të kreditit që fluturojnë avionë

Ka shumë mundësi që “bankifikimi” tashmë të fshihet hapur në portofolin tuaj. Dikur, kartat tuaja të kreditit mbanin vetëm emrat e bankave të mëdha si Chase, Capital One apo American Express, ndërsa sot ato janë shpesh të lidhura me marka të veçanta korporatash si Costco, Disney, Netflix apo madje edhe NASCAR.

Gjithnjë e më shumë biznese, veçanërisht në sektorin e shitjeve me pakicë, po ofrojnë karta krediti për të nxitur shpenzimet e konsumatorëve në markat e tyre. Më shumë se gjysma e njëqind kompanive më të mëdha të tregtisë me pakicë në vend, për shembull, ofrojnë tashmë kartat e tyre të personalizuara të kreditit, përfshirë Target, Macy’s dhe Nordstrom.

Të ardhurat që rezultojnë nga këto karta, të ndara midis bizneseve dhe kompanive partnere të kartave të kreditit, janë jashtëzakonisht fitimprurëse. Për segmentin më të lartë të shitësve të mëdhenj me pakicë, pagesat nga kartat e kreditit të dyqanit përbëjnë deri në 14% të fitimeve të kompanisë, një burim të ardhurash thelbësor për biznese që operojnë me marzhe fitimi relativisht të ulëta.

Nëse nuk do të ishte për qindra miliona dollarët që fiton nga kartat e saj të përdorura gjerësisht, zinxhiri i dyqaneve Kohl’s do të ishte në humbje.

Asnjë sektor nuk është më i varur nga kartat e tij të kreditit sesa industria ajrore.

Edhe pse të gjitha linjat ajrore të mëdha amerikane pësuan humbje nga fluturimet e pasagjerëve vitin e kaluar, ato përsëri realizuan miliarda dollarë fitime operative, kryesisht nga të ardhurat që përfituan nga programet e tyre të shpërblimeve të fluturimeve (frequent-flier programs), të cilat funksionojnë përmes kartave të kreditit dhe janë kryesisht të parregulluara.

Në vitin 2023, Delta Air Lines, kompania ajrore më fitimprurëse në botë, gjeneroi pjesën më të madhe të 4.6 miliardë dollarëve të të ardhurave operative nga marrëveshja e saj me American Express, dhe deri më tani këtë vit, pothuajse të gjitha fitimet e saj kanë ardhur nga kjo kompani e kartave të kreditit.

Kjo marrëveshje bëri që juristi dhe eksperti i industrisë ajrore Ganesh Sitharaman të dilte në përfundimin se “sistemet e pikëve të fluturimeve i kanë kthyer linjat ajrore në institucione financiare që thjesht ndodh edhe të fluturojnë avionë.”

Ndërkohë që këto programe shpërblimi premtojnë përfitime si vende me zbritje ose fluturime falas, ekspertët thonë se këto shpërblime rrallëherë janë marrëveshje të mira për konsumatorët.

Hetimet dhe kontrollet e fundit nga qeveria kanë zbuluar se linjat ajrore janë të njohura për manipulimin e sistemit të pikëve kur kjo i shërben interesave të tyre financiare.
Kjo përfshin një hetim të vitit 2024 nga Departamenti i Transportit, i cili shqyrtoi praktikat e linjave ajrore për zhvlerësimin sistematik të pikëve të shpërblimit dhe rritjen e pragjeve për përfitime, në mënyrë që të ulej numri i fluturimeve falas dhe dhuratave që u ofroheshin klientëve.

“Linjat ajrore ndryshojnë çmimet e pikëve krahasuar me çmimet në dollarë… për të ndikuar në vlerën e përgjithshme të ‘furnizimit monetar’ të pikëve,” shpjegoi Brian Shearer, drejtor i politikës së konkurrencës dhe rregullimit në Vanderbilt Policy Accelerator.

“Është pothuajse sikur po sillen si bankat e tyre qendrore”.

Për shembull, në vitin 2023 Delta ndryshoi metrikën e sistemit të saj të pikëve SkyMiles duke kaluar nga miljet e udhëtuara te shpenzimet totale të klientit, gjë që zhvlerësoi ndjeshëm pikët e fituara nga udhëtarët.

Ky ndryshim u prit me zemërim të gjerë nga udhëtarët që kursejnë në çmimin e fluturimeve, pasi fluturimet e tyre nuk do të gjeneronin më aq shumë pikë sa më parë.

Në mënyrë të ngjashme, programet e shpërblimeve me karta krediti në sektorë të tjerë rrallëherë përfitojnë klientët.

“Konsumatorët mendojnë se po fitojnë lehtësi, por në fakt bizneset po gjejnë mënyra të reja për të monetizuar të dhënat tuaja dhe për të nxjerrë fitim prej jush”, tha Adam Rust, drejtor i shërbimeve financiare në Federatën e Konsumatorëve të Amerikës.

“Balanca përfundimtare anon gjithmonë në favor të kompanive, në mënyra që shumë konsumatorë nuk i kuptojnë, veçanërisht për sa i përket sigurisë dhe privatësisë së parave dhe të dhënave të tyre”.

Në nivel bazë, programet e besnikërisë funksionojnë ngjashëm me një kartë stampash në një kafene, por ndryshimi është se programet e shpërblimeve me karta krediti përdorin mjete dhe teknologji shumë më të sofistikuara financiare, duke krijuar një sistem shumë më kompleks që favorizon fitimet e kompanive.

Në thelb, klientët kanë vendosur paratë e tyre në një llogari kursimi që nuk gjeneron interes, ndërsa u japin korporatave gjigante një hua pa interes, të cilën ato mund ta përdorin sipas dëshirës.

Merrni për shembull Starbucks dhe Dunkin’, që drejtojnë dy nga programet më të mëdha të shpërblimeve në tregtinë me pakicë në SHBA.
Starbucks ka mbi 30 milionë përdorues, ndërsa Dunkin’ mbi 10 milionë.

Të dy programet shpërblejnë klientët me një kafe falas nëse ata parapaguajnë një shumë të caktuar parash në aplikacionet e tyre dixhitale të shpërblimeve, të cilat mund të përdoren më pas në dyqanet përkatëse.

Totali i bilanceve që mbahen në këto aplikacione dixhitale është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Vetëm në rastin e Starbucks, ato kanë arritur në gati 2 miliardë dollarë, një shumë më e madhe sesa depozitat që menaxhohen nga shumë banka të vogla dhe të mesme, por pa asnjë mbikëqyrje rregullatore.

Një pjesë e konsiderueshme e klientëve që regjistrohen në këto programe harrojnë balancat e tyre dhe nuk i shpenzojnë kurrë. Në praktikë, konsumatorët po u japin kompanive të mëdha një hua pa interes, ndërkohë që paratë e tyre qëndrojnë “të ngrira” në llogari dixhitale që nuk japin asnjë fitim për ta.

Nëse Starbucks apo Dunkin’ do të përballeshin ndonjëherë me vështirësi financiare ose do të falimentonin, këto fonde dixhitale mund të zhdukeshin menjëherë.
Dhe kjo nuk është aq e pamundur sa duket, duke pasur parasysh që firmat e Wall Street kanë blerë dhe shpërbërë më parë perandori të fuqishme tregtare, si Toys “R” Us, për t’i shitur pjesët me vlerë.

Kur kompania e bouling e mbështetur nga kapital privat, Bowlero, u bashkua me konkurrentin Lucky Strike dhe ndryshoi emrin në vitin 2023, balancat që klientët kishin ruajtur në kartat e shpërblimeve të Bowlero u zhdukën brenda natës.

Mashtrimet me shpërblimet e programeve të besnikërisë nuk janë problemi i vetëm me kartat e kreditit të shitjeve me pakicë.

Së pari, kostoja e këtyre kartave është zakonisht më e lartë se ajo e kartave të tjera të kreditit. Në vitin 2024, 90% e kartave të kreditit të shitjeve me pakicë kishin norma të interesit vjetor (APR) mbi 30%, në krahasim me vetëm një të tretën e kartave të tjera.

Sipas rregullatorëve qeveritarë, kartat e kreditit të shitjeve me pakicë janë, në përgjithësi, ndër opsionet më të shtrenjta të kreditit, për shkak të tarifave dhe interesave të tepërta.

Këto tarifa të larta janë aq të rëndësishme për kompanitë e kartave të kreditit, saqë një rregullore e administratës Biden që synonte të vendoste një kufi prej 8 dollarësh për tarifat e vonesës kërcënoi të pakësonte ndjeshëm fitimet e industrisë. Dhoma e Tregtisë e SHBA-së, grupi më i madh lobues i biznesit në vend, paditi menjëherë agjencinë për ta bllokuar këtë rregull.

Për të përfituar nga këto tarifa të larta, tregtarët po i detyrojnë punonjësit e tyre të shndërrohen në shitës kartash krediti.
“Kompanitë po angazhojnë punëtorë me paga të ulëta për të shënjestruar punëtorë të tjerë me paga të ulëta me produkte grabitqare”, tha Frotman.

Në kompani si Macy’s dhe Kohl’s, kompensimi i punonjësve të shitjeve raportohet se varet pjesërisht nga përmbushja e kuotave të shitjeve për regjistrimin e klientëve në kartat e kreditit të dyqaneve. Këto kërkesa janë kthyer në një burim mosmarrëveshjesh kontraktuale gjatë negociatave sindikale në disa prej këtyre dyqaneve.

Me pagat e tyre në rrezik, punonjësit e shitjeve shpesh detyrohen t’u “shesin” karta klientëve pa pasur trajnim të mjaftueshëm për të vlerësuar aftësinë e tyre për të shlyer borxhin.

Për këtë arsye, rregullatorët kanë paralajmëruar se standardet e miratimit për këto karta janë më pak të rrepta, gjë që mund t’i shtyjë klientët drejt marrëveshjeve të dëmshme dhe borxheve të mëdha.

Mesatarisht, mbajtësit e kartave të shitjeve me pakicë kanë më shumë gjasa sesa përdoruesit e tjerë të kartave të kreditit të kenë bilance të papaguara dhe të shlyejnë vetëm pagesën minimale mujore të detyrueshme, gjë që rrit mundësinë për t’u zhytur në borxh, sipas gjetjeve të qeverisë.

Në sektorin e kujdesit shëndetësor, shitja e kartave të kreditit mund të jetë edhe më shfrytëzuese, duke kontribuar në krizën gjithnjë në rritje të borxheve mjekësore në vend.

Për miliona amerikanë që nuk kanë sigurim shëndetësor ose që nuk kanë mbulim të plotë, mjekët dhe infermierët po ofrojnë tani këto karta ose kredi me këste për t’i ndihmuar ata të paguajnë faturat e kujdesit shëndetësor.

Ndërkohë që dikur këto karta ofroheshin vetëm për procedura estetike apo jo të domosdoshme, sot ato po promovohen gjithnjë e më shumë për shpenzime bazike shëndetësore dhe raste emergjente.

Kompania CareCredit, në pronësi të Synchrony Financial, një nga aktorët më të mëdhenj financiarë në fushën mjekësore, numëron tani 11.7 milionë mbajtës kartash dhe bashkëpunon me mbi 250,000 ofrues të kujdesit shëndetësor.

Edhe pse kartat mjekësore të kreditit mund të ulin kostot administrative dhe të faturimit për ofruesit e kujdesit, rregullatorët kanë zbuluar se shitja e tyre shpesh bëhet me pak transparencë, pa sqaruar termat e rrepta, normat e larta të interesit dhe praktikat grabitqare.

Në disa raste, këto karta u janë shitur pacientëve për procedura që, pa dijeninë e tyre, mund të ishin mbuluar nga siguracioni ose nga programet e faljes së faturave të spitaleve jofitimprurëse.

“Spitalet i nxisin butësisht njerëzit drejt këtyre produkteve të pagesës”, tha Eli Rushbanks, këshilltari i përgjithshëm i organizatës jofitimprurëse për mbrojtjen e pacientëve Dollar For, e cila në vitin 2023 paraqiti një deklaratë zyrtare duke kërkuar një hetim qeveritar mbi këtë çështje.

“Ne bëmë screenshot-e të faqeve të internetit që ngatërrojnë konceptet, çfarë është Medicaid, çfarë është ndihmë bamirësie dhe çfarë është plan pagese, të gjitha të mbuluara nën një ombrellë të paqartë që quhet ‘ndihmë financiare’.”

Revista The American Prospect madje raportoi se rregullatorët kanë zbuluar raste kur pacientët nuk kishin asnjë kujtesë që kishin pranuar të përdornin një kartë krediti mjekësore. Rezultoi se ata ishin regjistruar në këtë shërbim ndërsa ishin nën anestezi.

Në përpjekjen e tyre për të përqafuar financat e integruara, kompanitë po hyjnë në fusha të reja, të parregulluara të bankingut dhe huadhënies.

Aplikacionet e transportit me taksi, Uber dhe Lyft, kanë zhvilluar karta debiti të lëshuara nga vetë kompania, aplikacione për përpunimin e pagesave dhe madje programe të brendshme huadhënieje për automjete, të cilat ua ofrojnë shoferëve të tyre.

Këto shërbime pagese nuk mbulohen nga FDIC, ndërsa degët e huadhënies janë çuar në gjyq për praktika të paligjshme dhe shfrytëzuese, si p.sh. aplikimi i normave të interesit më të larta se mesatarja e industrisë.

Të gjitha këto marrëveshje financiare rrezikojnë t’i mbajnë punonjësit e transportit të lidhur pas punës së tyre, pasi punëdhënësi vepron, në praktikë, si banka e tyre.

Në mënyrë të ngjashme, Amazon ka nisur t’u ofrojë punonjësve një produkt të quajtur “akses në pagë të fituar” (earned wage access), i cili ua jep paraprakisht pagën përpara ditës së pagesës, duke i futur kështu në borxh ndaj vetë punëdhënësit.

Industria e “aksesit në pagë të fituar” është kritikuar për shfrytëzimin e punëtorëve me të ardhura të ulëta, përmes tarifave të larta ndëshkuese në rast vonesash në pagesë.

Në mënyrë më të dukshme, zinxhirët e mëdhenj të tregtisë dhe supermarketet po ofrojnë gjithnjë e më shumë opsionin “bli tani, paguaj më vonë” në momentin e arkëtimit, duke u dhënë konsumatorëve mundësi financimi afatshkurtër për blerje që shpesh nuk i përballojnë dot.

“Bli tani, paguaj më vonë” është një formë financimi afatshkurtër që ofron hua të vogla, të cilat paguhen në këste.

Ndonjëherë promovohet si hua pa interes, por në fakt këto plane shpesh përfshijnë tarifa të larta për vonesë pagese dhe kushte të fshehura, që mund t’i ngarkojnë huamarrësit me interesa shumë të larta nëse nuk e shlyejnë borxhin në kohë.

Dyzet për qind e huamarrësve që përdorin shërbimin “bli tani, paguaj më vonë” raportuan se kishin humbur të paktën një pagesë kësti, duke rezultuar në tarifa shtesë për vonesën.
Megjithëse programet “bli tani, paguaj më vonë” shpesh u ngarkojnë tregtarëve tarifa transaksionesh më të larta sesa kartat e kreditit, pothuajse të gjitha rrjetet e mëdha të dyqaneve e ofrojnë këtë opsion sepse ndihmon në rritjen e shitjeve.

Një sërë kompanish, përfshirë Costco, po integrojnë tashmë opsionet “bli tani, paguaj më vonë” nga ofrues si Affirm, Klarna dhe Afterpay direkt në faqet dhe aplikacionet e tyre, për të përftuar një pjesë më të madhe të të ardhurave që rrjedhin prej tyre.

Këto marrëveshje nxisin tregtarët të promovojnë një produkt financiar që mbetet pothuajse i parregulluar.

Sot, mbi një e katërta e amerikanëve përdor programe të tilla, dhe sipas një sondazhi të fundit të LendingTree, rreth 25% e atyre klientëve e përdorin rregullisht këtë opsion për të paguar artikuj bazë, si ushqimet.

Edhe më shqetësuese është se 40% e përdoruesve të këtyre programeve kanë humbur të paktën një pagesë kësti, duke u përballur me tarifa vonese.

“Marketingu i huave ‘bli tani, paguaj më vonë’ mund t’i bëjë ato të duken si një formë kredie pa risk”,- thuhej në një raport të vitit 2022 të Byrosë së Mbrojtjes Financiare të Konsumatorit (CFPB), i cili identifikonte “disa fusha rreziku për dëmtim të konsumatorit.”

Raporti përfundonte se huamarrësit që përdorin këtë formë kredie kishin më shumë gjasa “të jenë thellësisht të mbingarkuar me borxhe”, “të kenë vonesa në produkte tradicionale krediti” dhe të shfaqnin “shkallë të lartë vështirësish financiare”.

Vlerësimi i agjencisë gjithashtu vuri në dukje se huadhënësit e programeve “bli tani, paguaj më vonë” mund të jenë duke u angazhuar në një formë të ashtuquajtur “arbitrazhi rregullator”, duke operuar në hije dhe duke shmangur standardet ligjore më të rrepta që zbatohen për tregjet e tjera financiare.

Përveç shfrytëzimit të konsumatorëve, financat e integruara synojnë gjithashtu bizneset e vogla dhe të pavarura.

Kompani fintech si Shopify, PayPal dhe Square (e themeluar nga Jack Dorsey, krijuesi i Twitter) ofrojnë shërbime menaxhimi biznesi për ndërmarrjet e reja, përfshirë përpunimin e transaksioneve, një nga pengesat më të mëdha në tregtinë elektronike.

Por këto përfitime vijnë me një “kusht”: platformat i drejtojnë bizneset e vogla drejt një shërbimi financiar pothuajse të parregulluar të quajtur “merchant cash advance”, i cili është akuzuar për praktika shfrytëzuese.

“Merchant cash advance” u siguron bizneseve linja kredie, por në vend që të presin kthim direkt të borxhit, huadhënësit marrin një përqindje fikse të shitjeve të biznesit deri në fund të afatit të huasë.

Duke pretenduar se produkti i tyre nuk është hua e mbuluar nga rregulloret financiare, por një “investim në biznesin e huamarrësit”, ofruesit e këtyre huave janë të lirë t’u ngarkojnë bizneseve pagesa jashtëzakonisht të larta dhe të shmangin kufizimet shtetërore mbi normat e tepërta të interesit.

Gjatë administratës Biden, Byroja e Mbrojtjes Financiare të Konsumatorit dhe agjenci të tjera ndërmorën një sërë veprimesh dhe hetimesh për të zbutur rreziqet, që lidhen me tregun në rritje të financave të integruara.

Hetuesit qeveritarë shqyrtuan praktikat grabitqare në kartat e kreditit të shitjeve me pakicë, kreditë për borxhet mjekësore, shërbimet “bli tani, paguaj më vonë” dhe aplikacionet e pagesave dixhitale.

Disa nga këto hetime çuan në rregullore të reja, si një rregull i vitit 2024 që zgjeroi autoritetin mbikëqyrës të rregullatorëve financiarë ndaj platformave të pagesave të Big Tech dhe i rregulloi ato po aq rreptësisht sa bankat.

Ky rregull shkaktoi zemërim në industrinë e teknologjisë dhe u shfuqizua menjëherë nga administrata Trump, së bashku me një sërë reformash të tjera financiare të epokës Biden.

Që atëherë, një nga institucionet kryesore mbikëqyrëse financiare të vendit, Byroja e Mbrojtjes Financiare të Konsumatorit, është shpërbërë në mënyrë sistematike nën drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Administrata Trump madje ka sinjalizuar se do të rihapë aplikimet për kompanitë e huadhënies industriale, banka të zotëruara nga industria e automobilave që kishin luajtur një rol në krizën financiare të vitit 2008. Lajmi bëri që secila prej katër kompanive më të mëdha të automobilave në SHBA të paraqiste aplikime të reja për të operuar bankat e veta.

Rezultati është se konsumatorët janë lënë të përballen vetë me këtë botë të çuditshme të “bankifikimit”, me pasoja shqetësuese.

Merrni rastin e Paulës nga Florida, së cilës iu desh t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje urgjente dentare që kushtonte mijëra dollarë. Siguruesi i saj nuk do ta mbulonte shpenzimin, ndaj klinika dentare i rekomandoi të regjistrohej në një plan pagese CareCredit për të përballuar faturën.

Sipas një deklarate zyrtare të paraqitur pranë rregullatorëve të konsumatorëve nga Consumer Reports në emër të saj, Paula paguante shumën e kërkuar çdo muaj, por kur përfundoi periudha promocionale pa interes, ajo ende kishte një bilanc të papaguar prej 700 dollarësh, ndaj filluan të aplikoheshin interesat.

Muajin pasues, fatura e saj u dyfishua në 1,400 dollarë. Doli se, falë detajeve të paqarta dhe të parregulluara në kontratën e CareCredit, kompania llogariste interes jo mbi shumën e mbetur, por mbi koston fillestare të plotë të faturës mjekësore.

Për Paulën, komoditeti “pa pengesa” që ofronin financat e integruara nuk ishte një zgjidhje, ishte një kurth borxhi.

Siç e shprehu ajo hapur në deklaratën e saj drejtuar autoriteteve: “Do të preferoja të isha në dhimbje e të vuaja, sesa të paguaja interesat e tepërta që më ngarkuan”./MONITOR