Erdogan ‘nuk kursen’ Melonin, kritika për duhanpirjen: Duhet ta lësh duhanin! Kryeministrja italiane: E di, nuk dua të vras dikë…

IZRAEL- Kryeministrja italiane Giorgia Meloni bëri një deklaratë me humor në margjinat e një samiti për paqen në Gaza, duke thënë se nëse do të linte duhanin, “mund të vriste dikë”. Komenti u bë gjatë një bisede informale me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, i cili u zotua se do të përpiqej ta ndihmonte Melonin ta linte duhanin.

Erdogan, i njohur për fushatat e tij kundër duhanit, i tha Melonit: “Dukesh shumë mirë. Por duhet të të bëj të lësh duhanin”.

Presidenti francez Emmanuel Macron, që ndodhej pranë tyre, ndërhyri me një buzëqeshje duke thënë: “Është e pamundur!”, duke nënvizuar vështirësinë e këtij synimi.

Meloni iu përgjigj me shaka: “E di, e di… nuk dua të vras dikë”, duke lënë të kuptohet se heqja dorë nga duhani mund të ndikojë në humorin e saj.

Më herët, në një libër të bazuar në intervista, Meloni kishte rrëfyer se e kishte lënë duhanin për 13 vjet, por kishte rifilluar sërish.