“Greta Thunberg e detyruan të puthte flamurin izraelit dhe…” The Guardian: Mbahet në një qeli të mbushur me pleshta, me shumë pak ushqim dhe ujë

Aktivistja suedeze Greta Thunberg raportohet se po përballet me trajtim të ashpër dhe kushte çnjerëzore në paraburgim, pas ndalimit të saj nga forcat izraelite ndërsa ndodhej në një flotë anijesh ndihmash që synonte të thyente bllokadën detare të Gazës.

Sipas një emaili të dërguar nga Ministria e Jashtme Suedeze dhe siguruar nga “The Guardian”, Thunberg i ka thënë një zyrtari suedez që e vizitoi në burg se është mbajtur në një qeli të mbushur me pleshta, me pak ushqim dhe ujë, duke përjetuar dehidratim dhe skuqje të lëkurës. Ajo gjithashtu ka pohuar se është detyruar të qëndrojë ulur për orë të tëra në sipërfaqe të forta.

Një tjetër i paraburgosur, sipas burimeve diplomatike, pretendon se Thunberg u detyrua të mbante flamuj të paidentifikuar ndërsa fotografohej nga forcat izraelite. Dy anëtarë të tjerë të ekipit, tashmë të liruar, mbështetën këto pretendime. Aktivisti turk Ersin Çelik deklaroi për Anadolu Agency se Thunberg u tërhoq zvarrë nga flokët, u dhunua dhe u detyrua të puthte flamurin izraelit.

Gazetari italian Lorenzo D’Agostino, gjithashtu pjesë e flotiljes “Global Sumud”, tha se Thunberg ishte “mbështjellë me flamurin izraelit dhe parakaluar si trofe”, duke e cilësuar këtë si një akt poshtërues dhe të turpshëm.