Shkarkimi i Erion Veliajt nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës pritet të finalizohet sot nga Këshilli i Ministrave, i cili do të mblidhet në orën 12:00.
Mbledhja vjen një ditë pasi Prefekti i Tiranës i njoftoi zyrtarisht për propozimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak. Sipas ligjit, është qeveria që merr vendimin përfundimtar në këtë proces.
Pasditen e së martës, Këshilli Bashkiak bashkoi në një të vetme kërkesën e këshilltarëve socialistë për shkarkimin e Veliajt me atë të PD-së dhe Endri Shabanit, duke e miratuar me 50 vota pro.
Veliaj e ka kundërshtuar procedurën e ndjekur, duke lënë të kuptohet se mund të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese. Neni 115 i Kushtetutës parashikon se, nëse bëhet ankim brenda 15 ditësh, vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet. Ky akt do të bllokonte zhvillimin e zgjedhjeve në Tiranë.
Megjithatë, kryeministri Edi Rama po ecën me logjikën e faktit të kryer. Një ditë më parë, në një takim me ministrat dhe deputetët e qarkut të Tiranës, përkrah kandidates për kryebashkiake Ogerta Manastirliu, Rama e konsideroi vendimin për shkarkimin e Veliajt si të detyrueshëm.
Kryeministri u shpreh se Tirana nuk mund të gdhihet dhe ngryset si “trup pa kokë” dhe qytetarët nuk mund të bashkëjetojnë me një “bashki kokëkëputur”, duke shtuar se opozita do të hyjë e humbur në garën për kryeqytetin.
