Niko Peleshi zgjidhet kryetar i Kuvendit. Berisha: Ka 5 dosje korrupsioni

Socialisti Niko Peleshi është zgjedhur kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë me 84 vota pro, 3 kundër dhe 0 abstenim. Në votim morën pjesë 87 deputetë.

Komisioni i përkohshëm i ngritur për të administruar votat e zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri përbëhej nga Fadil Nasufi, Saimir Asalla dhe Bledi Çomo, të propozuar vetëm nga PS pasi PD refuzoi të merrte pjesë në proces.

Kolegu socialist Vasil Llajo, teksa e uroi për detyrën e re, tha se Peleshi do të jetë kryetari i parë i Kuvendit të Shqipërisë, si pjesë e Bashkimit Europian.

Opozita bojkotoi seancën, duke përplasur tavolinat herë pas here edhe gjatë fjalës falenderuese të Peleshit, ndërsa maxhoranca duartrokiste.

“Besimi që më dhatë sot duke më zgjedhur kryetar të Kuvendit është nder dhe përgjegjësi e madhe që e pranoj me përulësi dhe përkushtim. Përvoja ime e punës në parlament dhe qeveri, dijet dhe energjitë e mia do të vihen në shërbim të këtij vendi, në shërbim të Shqipërisë dhe qytetarëve. Për të shërbyer në këtë moment historik, angazhohem për ta kthyer këtë besim në një shtysë për të punuar me përkushtim çdo ditë. Falenderoj Spiropalin për punën e saj gjatë vitit të fundit të legjislaturës së kaluar. Falënderoj të gjithë deputetët pavarësisht votës pro apo kundër. Do të bëj gjithçka mundem për të garantuar punën e drejtë në Kuvend.

Sot është radha jonë të hapim dyert e Shqipërisë në familjen europiane, do të ecim me transparencë, gjithëpërfshirje në çdo hap. Shqipëria është një nga popujt më proeuropian në Evropë. Ky nuk është thjesht një betim, por një angazhim që kërkon punë të pandërprerë drejt rrugëtimit europian që është më afër se kurrë në këtë histori. Në këtë rrugëtim, Kuvendi është një institucion shumë i rëndësishëm”, tha ndër të tjera Peleshi.

Berisha: Sot në drejtim të parlamentit u zgjodh një njeri me 5 dosje korrupsioni

“Sot parlamenti i karteleve operoi në shkelmim të plotë të parimeve kushtetuese dhe Kushtetutës së këtij institucioni. Sot në parlament më të përfaqësuarit e shqiptarëve janë kartelet e drogës më të fuqishmet në Europë, të lidhura me organizata terroriste, kartelet e Amerikës Jugore, Sinaloan e Meksikës, kartelin Medelin dhe kartele të tjera të cilat kanë arritur të penetrojnë, të nguliten në çdo segment, në çdo nivel të narkoshtetit shqiptar.

Jeni dëshmitarë për numrin e deputetëve që mbështetën këto kartele në Elbasan Çela-Çopja, në Durrës Troplini-Hajri-Avdylaj-Dervishi etj., në Lezhë, Tuku, në Fier ‘Hakmarrja për Drejtësi’, Shytët, Renato Salihi, Arben Qimja, në Vlorë bandat të damkosura ndërkombëtarisht, në Shkodër famozët Bajri e kështu me radhë. Sot në drejtim të përfaqësisë së karteleve dhe krimit, vendoset porositësi i vrasjeve me dokumente zyrtare.

Vendoset njeriu i implikuar zyrtarisht me dokumente me kartelin e heroinës së Elbasanit, me kartelin e kokainës Elbasan-Peqin, me Bajrët famozë dhe me banda të tjera, organizata të tjera kriminale. Sot në drejtim të parlamentit u zgjodh një njeri me 5 dosje korrupsioni. Niko Peleshi është historia e korrupsionit, është njeriu që ka firmosur akte madhore korruptive për djegësat, qoftë për prodhimin e energjisë në djegësin e Elbasanit dhe djegësin e Elbasanit, akte të cilat e bëjnë atë përgjegjës automatik për dëme kolosale që u ka bërë shqiptarëve.

Niko Peleshi është i akuzuar për prona në Kolonjë dhe në zona të tjera, kur ka qenë ministër Bujqësie. Peleshi të themi të vërtetën është nga pikëpamja, të themi e konstitucionit, në rrafshin konstitucionalist, jo të Kushtetutës, por të fizikut, ai është një qenie amorfe. Pra, ky njeri në vend që të shkojë atje ku ka vendin, ky merr kreun e parlamentit vetëm e vetëm se ka vjedhur së bashku me Edi Ramën. Tani jemi për betejë, nuk kemi nevojë për tolerancën e tyre fare.

Asnjë nevojë për tolerancën e tyre, ata nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit shqiptar. Ata përfaqësojnë vullnetin e krimit shqiptar, ata përfaqësojnë vullnetin e krimit shqiptar. Përfaqësojnë kartelet e drogës, organizatat kriminale, përfaqësojnë miliardat e vjedhura të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.